Media heziton t’i quajë “terroristë” agresorët e ekstremit të djathtë

Mediumet hezitojnë t’i përshkruajnë si terroristë agresorët e ekstremit të djathtë, ka treguar një studim në Britani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qendra Signal AI për ndjekjen e mediumeve ka hulumtuar mbi lajme të gazetave, televizioneve dhe radiove në lidhje me 11 sulmet terroriste në dy vitet e fundit.

Sipas hulumtimit, muslimanët “simpatizantë të ekstremizmit” janë cilësuar si terroristë tri herë më shumë sesa agresorët e ekstremit të djathtë.

Gjersa 78 për qind e lajmeve i kanë përshkruar si terroristë autorët muslimanë të sulmeve të ndryshme, vetëm 24 për qind prej tyre kanë përdorur të njëjtën shprehje për sulmuesit e ekstremit të djathtë.

“Raportimi mbi sulmet e kryera nga muslimanët simpatizantë të ekstremizmit është shumë i ndryshëm nga ai mbi sulmet e ekstremit të djathtë”, thuhet në studim.

Studimi theksoi së në përshkrimin si akt terrorist të sulmit ndaj dy xhamive në Zelandën e Re ka ndikuar deklarata e kryeministres së vendit Jacinda Ardern, e cila brenda gjashtë orëve e cilësoi atë si sulm terrorist.