Me nderime të larta shtetërore, varroset Hilmi Haradinaj

Me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake, i është dhënë lamtumira e fundit babait të kryeministrit të vendit, Hilmi Haradinajt.

Hilmi Haradinaj vdiq të shtunën pas mesnate nga një sëmundje e rëndë, raporton lajmi.net.

Të pranishëm në varrimin e të ndjerit ishin figura dhe personalitete të shumta politike nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast tha se babai i tij, Hilmiu arriti që në kohëra të vështira për Kosovën të krijojë njerëz që e duan dhe e mbrojnë lirinë e vendit, dhe si i tillë, ai la porosi që një gjë e tillë të vazhdojë edhe më tutje.

Ndryshe, Hilmi Haradinaj lindi në Gllogjan të Decanit, ai ishte prind i dhjetë fëmijëve, shtatë djemëve e tri vajzave.

Gjatë jetës së tij ai ishte përballur me plot vuajtje.

Hilmi Haradinajt, iu vranë dy djemtë e tij në luftën e fundit në Kosovë.

Luani dhe Shkelzeni, ishin dy dëshmorët e kombit, që vdiqën në luftë. Edhe një fëmijë tjetër i është vrarë pasluftës, Enveri, rast ky ende i pazbardhur.

Hilmi Haradinaj, së bashku me djemtë: Ramushin, Luanin, Shkelzenin, Dautin dhe Enverin, kishin qenë të angazhuar në lirimin e Kosovës, nga regjimi serb.

Hilmi Haradinaj vite më pas përshkruante luftën e djemve të tij.

Haradinaj me emocion përshkruante pjesëmarrjen e madhe të kosovarëve në luftë.

Edhe pas përfundimit të luftës, Ramush Haradinajn e dërguan në Hagë, ku u gjykua. E prindi i tij, Hilmiu, kthimin e kryeministrit e priti me shumë gëzim.

Haradinaj u varros sot në varrezat e Gllogjanit.