Me het-trikun e mbrëmshëm, Ronaldo e lë shumë prapa Messin

Super ylli portugez, Cristiano Ronaldo, ia siguroi Juventusit një vend në çerekfinalet e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve.

Tri golat e shënuara mbrëmë kundër Atletico Madridit bënë që Cristiano Ronaldo t’i ketë shënuar plot 63 gola në fazën e eliminimit direkt të garës më prestigjioze në Evropë, transmeton Express.

Ronaldo e ka këtë rekord shumë më të mirë se Lionel Messi, i cili i ka shënuar 40 gola në këtë fazë të Ligës së Kampionëve. Messi është rivali më i madh i portugezit në këtë betejë, ndërsa pas tyre renditet ish-heroi i Real Madridit, Rauli, me 34 gola.

Ky ishte het-triku i tetë i Ronaldos në Ligën e Kampionëve. Të njëjtin rekord e mban edhe pesë-herë fituesi tjetër i Topit të Artë, Messi.

Paraqitja e mrekullueshme e Ronaldos mbrëmë bëri që Juventusi ta përmbysë rezultatin kundër Atletico Madridit, duke fituar me rezultat 3:0. Ky rezultat i kualifikoi italianët në fazën e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.

SHPËRNDAJE