Mbreti saudit udhëzon Ministrinë e Haxhit të garantojë siguri për të gjithë haxhinjtë

Mbreti i Arabisë Saudite Selman bin Abdulaziz Al Suud dhe princi trashëgimtar Muhammed bin Selman kanë udhëzuar Ministrinë e Haxhit dhe të Umres për garantimin e sigurisë për të gjithë haxhinjtë pa përjashtim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të Arabisë Saudite SPA, ministri i Haxhit dhe Umres Muhammed Salih bin Tahir Benten në një deklaratë tha se mbreti i Arabisë Saudite Selman bin Abdulaziz Al Suud dhe princi trashëgimtar Muhammed bin Selman e kanë udhëzuar për garantimin e sigurisë për të gjithë haxhinjtë pa përjashtim, përfshirë edhe ata nga Irani dhe Katari.

Ai tha se shteti i tij ka mobilizuar të gjitha kapacitetet dhe forcat për t’u shërbyer haxhinjve. Benten thotë se ministria me të gjitha mundësitë e saj është përgatitur në të gjitha pikat ku do të qëndrojnë kandidadët për haxhinj duke filluar nga Meka dhe Medina.

Benten thotë se kundërshtojnë politizimin e haxhit duke shtuar se ministria është e gatshme për të shërbyer më shumë se 2 milionë persona.

Komisioni kombëtar i Katarit për të Drejtat e Njeriut (NHRC) në një mesazh të dërguar deri tek raportuesi i Posaçëm për lirinë e besimit dhe të fesë në OKB, Heiner Bielefeldt, lidhur me vështirësitë e përballura të haxhinjve nga Katari shprehu “shqetësim në kryerjen e ritualeve fetare dhe politizimit të tyre me qëllim të arritjes së përfitimeve politike”.

Ministria e Haxhit dhe Umres së Arabisë Saudite më 20 korrik njoftoi se lejohet hyrja e haxhinjve të Katarit në umre dhe haxh, por vendosi kushtin e përdorimit të “rrugëve ajrore dhe të kompanive ajrore përveç asaj nga Aviokompania e Katarit”.

Ndryshe, kriza në rajonin e Gjirit filloi më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini dhe Egjipti ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për “mbështetje të grupeve terroriste”.

Teksa Doha zyrtare i ka mohuar të gjitha akuzat, katër shtetet i kanë parashtruar Katarit një listë me 13 kërkesa, për të cilën Katari ka theksuar se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.