Mbretëria e Bashkuar zhvillon sot zgjedhjet parlamentare të parakohshme

Mbretëria e Bashkuar zhvillon sot zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Në më pak se pesë vjet vendi i është drejtuar tre herë tashmë kutive të votimit.

Këto janë zgjedhjet e para pas 100 vjetësh që zhvillohen në dhjetor dhe pasohen nga ato në 2015 dhe 2017.

Vendvotimet në 650 zonat elektorale në të gjithë Anglinë, Uellsin, Skocinë dhe Irlandën Veriore u hapën në orën lokale 07:00 dhe do të mbyllen në orën 22:00. Numërimi do të fillojë menjëherë dhe shumica e rezultateve do të shpallen në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Të 650 deputetët e parlamentit do të zgjidhen sipas sistemit të pastër mazhoritar ku fiton kandidati që siguron më shumë vota në secilën zonë elektorale.

Si Laburistët dhe Konservatorët i kanë quajtur “zgjedhjet më të rëndësishme të një gjenerate” pasi të dy palët kanë plane shumë të ndryshme për Brexit dhe shpenzimet publike.

Kandidati për kryeministër i Konservatorëve, Boris Johnson e bazoi fushatën e tij në përmbylljen e Brexit brenda Janarit  duke rikthyer në parlament për votim marrëveshjen e arritur në samitin e tetorit. Ai ka premtuar gjithashtu një financim prej 20.5 miliardë paundësh për sistemin kombëtar shëndetësor dhe implementimin e një sistemi emigracioni sipas modeli Australian ku secili trajtohet njësoj pavarësisht nga vendi origjinës.

Rivali i tij laburist, Jeremy Corbyn, ka propozuar një skemë shpenzimesh publike të pa precedentë. Fushata e tij kishte si pikë kryesore krijimin e një fondi kombëtar të transformimit prej 400 miliardë paundësh që përfshijnë 250 miliardë për energji, transport dhe mjedis, dhe 150 miliardë për shkolla, spitale dhe strehim. Ai ka premtuar gjithashtu të rrisë pagën minimale në 10 paund në orë dhe të mbajë një referendum të dytë në lidhje me Brexit.