“Mbret” i Afrikës me 3 çmime, Milani mirëpret mesfushorin algjerian

Algjeria ia doli të triumfojë në Kupën e Afrikës, pas fitores minimale 1-0 në finalen përballë Senegalit në Kajro, ndërsa mesfushori 21-vjeçar Ismael Bennacer ishte lideri i skuadrës në këtë kompeticion.

Mesfushori që shkëlqeu me Empolin në pjesën e dytë të sezonit dhe që është vetëm një hap larg firmës me Milanin, pati festë të trefishtë mbrëmjen e djeshme, pasi përveç titullit kampion të Afrikës, mori edhe çmimet “Futbollisti më i mirë” dhe “Futbollisti i ri më i mirë”.

“Një aventurë e paharrueshme, në krah të njerëzve të mëdhenj. Faleminderit të gjithëve që kanë kontribuuar për këtë sukses, nga afër e nga larg”, shkroi në rrjetet sociale mesfushori i talentuar algjerian.

Javën e ardhshme Bennacer pritet të mbërrijë në Milano, ku edhe do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me pagë 1.5 milionë euro në vit, me Milanin, ndërsa në arkat e klubit të Empolit do të shkojnë 16 milionë euro.

Vetëm pasi të jetë bërë zyrtarisht një futbollist i kuqezinjve, mesfushori 21-vjeçar do të nisë pushimet, për t’u rikthyer nën urdhrat e trajnerit Giampaolo në javën e dytë të gushtit.