Mblidhet qeveria, do të marrë 10 vendime me ngarkesë buxhetore

Kabineti qeveritar në detyrë në krye me Ramush Haradinajn, do të mblidhet të martën nga ora 13:00 për të shqyrtuar 10 vendime.

Vendimi i parë ka të bëjë me Draftin e Platformës Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë.Një vendim tjetër ka të bëjë me kursimet dhe ndarjet buxhetore të organizatave buxhetore.

Po ashtu pritet të merret vendim edhe për shpronësimet e përhershme në lidhje me “Ndërtimin e Parkut të Energjisë”.Një vendim tjetër ka të bëjë me shpronësimet në lidhje me “Ndërtimin e Parkut të Biznesit” në Skenderaj.Parcela të caktuara të Korporatës Energjetike të Kosovës pritet t’i kalojnë Komunës së Obiliqit.

Vendim pritet të merret edhe në lidhje me nismën për nënshkrimin e marrëveshjes financiare trepalëshe ndërmjet Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Malit të Zi për programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, transmeton Rtk.

Kabineti qeveritarë do të plotësojë edhe vendimin në lidhje me ngritjen e bustit të senatorit Robert Dole në Prishtinë.

Vendim tjetër ka të bëjë me shpronësimet në lidhje me ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, segmenti Banullë-Bresalc.Vendim për shpronësim pritet të merret edhe në segmentin Kijëve-Klinë-Zahaq, në lidhje me ndërtimin e autostradës Prishtinë-Pejë.

Vendim për ndarje buxhetore parashihet të ketë edhe për shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.