Mblidhen delegatët e Kuvendit të IX Zgjedhor të LDK-së

Delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), janë duke u mbledhur në sallën ku pritet të mbahet mbledhja e Kuvendit të IX Zgjedhor, për të zgjedhur të parin e kësaj partie.

Mirëpo, sipas pritshmërive se cili do ta marrë “timonin” e kësaj partie, thuhet që edhe njëherë do t’i prij kryetari aktual, Isa Mustafa.

Ndërkaq, në dy mbledhjet e mbajtura gjatë dy ditëve të kaluara, kryesia e LDK-së nuk ka arritur marrëveshje për një kryetar konsensual.

Ndërkohë, Kuvendi IX Zgjedhor i LDK-së do të mbahet me dyer të mbyllyra, ku mediat vetëm mund të marrin pamje në hyrje të hotelit ku mbahet ky Kuvend.

LDK-ja do të mjaftohet me konferencë për media pas punimeve të Kuvendit Zgjedhor.

“Më datë 3 gusht 2019, në orën 10:00, Lidhja Demokratike e Kosovës finalizon procesin zgjedhor, mban Kuvendin e IX Zgjedhor. Kuvendi mbahet në Emerald Hotel. Regjistrimi i pjesëmarrësve bëhet nga ora 09:00. Në pjesën hyrëse mediat mund të marrin pamje. Pas punimeve të Kuvendit, LDK mban konferencë për medie”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Kjo nuk është hera e parë që LDK-ja mbyll për media punimet në Kuvende Zgjedhore, pas atij që njihet tashmë si Kuvendi i karrigeve.