Mbi 1500 raste të pickimit nga rriqrat, një në gjendje të rëndë

Numri i rasteve të pickuar nga rriqrat ka filluar të rritet në vatrat endemike.

Tash kur edhe temperaturat janë ngritur, rastet janë rritur, sidomos në Komunën e Malishevës.

Në  një përgjigje për Indeksonline nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, bëhet e ditur se deri tani janë 1572 raste të pickimit nga rriqrat.

Vetëm në Malishevë numri i të pickuarëve ka arritur në 848 raste.

“Në vatrat endemike ka filluar pickimi i rriqrave që është paralajmërimi i parë për mundësinë e shfaqjes së sëmundjes. Numri i të pickuarëve ka arritur në 848 në komunën e Malishevës, 342 raste në komunën e Suharekës, 257 raste në komunën e Klinës dhe 125 në komunën e Rahovecit si pasojë e qëndrimit në livadhe të pa kositura, shkurre dhe shtalla dhe veshmbathjes jo adekuat”, thuhet në përgjigjen e IKSHP-së.

Ata kanë paralajmëruar për kujdes më të madh, ngase një person është diagonostifikuar me ethe hemorragjike, që ky virus vdekjeprurës tek njeriu bartet përmes pickimit.

“Kujdesi duhet të jetë i madh nga qytetarët sepse nga pickimi tashmë nje person është diagnostikuar me ethe hemorragjike me gjendje te përkeqësuar klinike”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa, kanë theksuar se tashmë ekipet profesionale po bëjnë repelimin e kafshëve.

Instituti Kombëtar  ka nxjerrë disa rekomandime për qytetarët se si të veprojnë në këto raste.

Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
3. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
4. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,
5. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
6. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,
7. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
8. Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
9. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.

Kujtojmë që Komuna e Malishevës pati ndarë 152 mijë euro për spërkatjen e zonave endemike .