Mbetet i paqartë fati i hetimeve ndërkombëtare për rastin Dehari

Hetimet ndërkombëtare për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit, mbetet ende një kërkesë në letër e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Ajo i ka kërkuar policisë metropolitane, ‘Scotland Yard’, nga Britania e Madhe, që të vijë dhe të bëjë hetime shtesë, për t’i hequr dyshimet e ngritura në Kosovë pas publikimit të raportit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë, ku thuhet se Astrit Dehari ka vdekur si pasojë e lëndimeve të vetëshkaktuara.

Në kërkesën drejtuar thuhet se në pjesë të caktuara të opinionit publik janë shfaqur dyshime në lidhje me integritetin dhe paanshmërinë e procesit të hetimit.

Lëvizja Vetëvendosje dhe përfaqësuesit e familjes Dehari, kanë ngritur dyshime në raportin e ekspertizës së kryer në Prishtinë, kurse kërkesën drejtuar ekspertëve nga Britania, familja Dehari e kishte cilësuar si një spektakël medial.

Avokati Tomë Gashi, përfaqësues i familjes Dehari, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë është e vonuar. Siç thotë ai, Ministria ka pritur që të dalin rezultate dhe të mbyllet rasti, pastaj ka kërkuar hetim ndërkombëtar. Sipas tij, për një kërkesë të tillë ministrja Hoxha është dashur ta njoftojë në mënyrë zyrtare edhe familjen e Astrit Deharit.

“Tani duket se Ministria e Drejtësisë nuk i beson as vetë deklaratave skandaloze të Kryeprokurorit, se kinse kemi të bëjmë më vetëvrasje”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se Dehari është vrarë nga pushteti.

Çështja Dehari është bërë temë debati publik dhe politik. Në takimin e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete ka pasur përplasje në mes anëtarëve të partive në pushtet dhe opozitës. Deputetja Albulena Haxhiu, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është edhe kryetare e këtij Komisioni, ka thënë se Ministria e Drejtësisë në rend të parë është dashur të konsultohet me familjarët e Deharit, duke thënë se shteti është përgjegjës për vdekjen e tij.

“A keni parë se si zgjedhen prokurorët dhe gjyqtarët. Me telefon të Adem Grabocit dhe Kadri Veselit zgjidhen. Kriminelët e kanë kapur shtetin”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkohë, pas deklaratave të Haxhiut kanë reaguar anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës në këtë Komision. Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj e ka fajësuar edhe Vetëvendosjen për vdekjen e Astrit Deharit.

“E keni shty njeriun me vra veten e tash bëni çka të doni”, është shprehur Zemaj.

Sipas raportit të autopsisë thuhet se vdekja e të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike (mbyllja ose bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes), si pasojë e dëmtimeve të vetë shkaktuara, të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme.

Por, Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media, e ka quajtur raportin e autopsisë jokredibil.