Mbappe nuk shfrytëzon mungesën e Messi – Ja si duket gara për “Këpucën e Artë”

Gara për ‘Këpucën e Artë’ do të jetë shumë interesante në xhirot e mbetura në top pesë ligat më të forta evropiane.

Për dallim prej viteve tjera, këtë edicion Lionel Messit po i mungon Cristiano Ronaldo, megjithatë, argjentinasi nuk ka mbetur krejt i pa konkurrentë.

Ylli i Paris Saint Germain, Kylian Mbappe, është përkujdesur që ta bëjë më interesant sezonin e yllit të Barcelonës.

Mes reprezentuesit të Argjentinës dhe fituesit të Kupës së Botës me Francën, garë e ashpër po zhvillohet për ‘Këpucën e Artë’, përcjell lajmi.net.

Trajneri i Barcelonës Ernesto Valverde kishte vendosur ta pushonte Messin gjatë fundjavës, duke mos e ftuar fare për ndeshjen ndaj Huescas.

Këtë mungesë pritej që ta shfrytëzonte Mbappe, por skuadra e francezit pësoi me rezultatin 5:1, ndeshje në të cilën sulmuesi premtues nuk gjeti golin.

Kështu, numri 10 i Barcelonës mbetet lider në garën për ‘Këpucën e Artë’, me gjashtë gola më shumë sesa sulmuesi i PSG.

Mbappe regjistron 27 gola me shtatë ndeshje të mbetura, kurse Messi ka 33 gola dhe gjashtë ndeshje për të luajtur në La Liga.