Mashtrimi që politikanët bënë për ushtrinë, FSK nuk do të bëhet FAK

Ka tashmë dy vite që kur liderët politik kosovar flasin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në “Forcat e Armatosura të Kosovës”, respektivisht transformimin në ushtri. Emrin për këtë e kishte propozuar në projektligjin e tij, që dorëzoi më 7 mars të vitit 2017, presidenti i shtetit Hashim Thaçi. Atë ditë, Thaçi ia kishte dorëzuar kolegut të tij nga partia, kryeparlamentarit Kadri Veseli, projektligjin për “Forcat e Armatosura të Kosovës”. Thaçi pati kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’i jap një mision dhe mandat të ri Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë edhe komponentin e mbrojtjes.

Megjithatë, ky projektligj ishte kritikuar shumë sidomos për përmbajtjen e tij dhe nevojës që aleatët ndërkombëtarë patën ngritur për themelimin e ushtrisë, përmes ndryshimeve kushtetuese.

Të premten, më 14 dhjetor të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës do të votohen tri projektligje që kanë synim ndryshimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga një forcë e sigurisë në forcë mbrojtëse. Por asnjëri nga tri ligjet që janë propozuar kësaj edhe nga Qeveria e kryesuar aktualisht nga Ramush Haradinaj, nuk e përmbajnë emrin e “Forcave të Armatosura të Kosovës”, raporton Persikopi.

Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligji për Shërbimin në Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, janë tri projektligjet të cilat i miratoi Qeveria e Kosovës për FSK-në, e që pritet të votohen e siç është mësuar edhe të miratohen pa debat parlamentar të premten në Kuvend.

Burime të Periskopit ndërkaq kanë bërë të ditur se emri i FSK-së nuk do të pësojë ndryshime.

Kjo për faktin se për të ndryshuar emri i FSK-së duhen ndryshime kushtetuese që kërkojnë edhe votën e serbëve në Kuvend, ndërkohë që dihet se përfaqësuesit serb në Parlament, të dirigjuar nga Beogradi, janë kundër themelimit të ushtrisë së Kosovës.

“Kushtetuta e përcakton e emrin, andaj nuk mund të ketë ndryshime në këtë drejtim”, ka thënë burimi i Periskopit.

Neni 126 i Kushtetutës njeh vetëm Forcën e Sigurisë̈ e Kosovës.

“Forca e Sigurisë̈ e Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë̈ për Republikën e Kosovës, dhe mund të dërgoj pjesëtarët e saj jashtë̈ vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare. Forca e Sigurisë̈ e Kosovës mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj. Presidenti i Republikës së Kosovës është Komandant i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë̈ të Kosovës, e cila gjithmonë̈ i nënshtrohet kontrollit të autoriteteve civile të zgjedhura në mënyrë demokratike. Forca e Sigurisë̈ e Kosovës është profesioniste, pasqyron shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës dhe rekrutohet nga shtetasit e Republikës së Kosovës. Komandantin e Forcës së Sigurisë̈ të Kosovës e emëron Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të rekomandimit të Qeverisë. Organizimi i brendshmëm i Forcës së Sigurisë̈ të Kosovës rregullohet me ligj”, thuhet në këtë nen.

Sipas burimeve të Periskop një diskutim në lidhje me emrin e kanë pasur edhe brenda LDK-së, megjithatë në fund është vendosur që projektligjet e propozuara të votohen pa debat në Kuvend.

Avdullah Hoti, i kontaktuar nga Periskopi, nuk është përgjigjur në këtë.

“Nesër ke,i konferencë për media, aty flasim”, ka thënë ai shkurt përmes telefonit.

Edhe burime brenda FSK-së kanë konfirmuar se pritet ndryshimi vetëm i misionit por jo edhe emrit. Ndryshim të emrit do të pësojë vetëm Ministria për FSK-në e cila pas miratimit të ligjeve do të quhet Ministria e Mbrojtjes.

PDK nuk është e vetmja që proklamonte themelimin e FAK-ut. Edhe kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë Kuvendit të VII zgjedhor të AAK-së pati premtuar “përfundimin e shpejt të FAK-ut”.

Ndryshimet e reja do të përfshijnë kryesisht organizimin e brendshëm të FSK-së, do të rregullojë çështjen e furnizimit me armatim të rëndë ushtarak, i cili aktualisht me ligjet në fuqi është i kufizuar, si dhe do të rregullojë çështjen e pjesëmarrjes së FSK-së në misione ushtarake.

Megjithatë, duhet theksuar se Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara thekson se vetmja forca ushtarake në Kosovë është ajo e NATO-s. Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg pati paralajmëruar liderët e Kosovës se është “ende herët” për themelimin e Ushtrisë dhe ka lënë të kuptohet se nuk ka përkrahje nga ana e NATO-s.

Deri më tani, krah vendimit të Qeverisë për themelimin e ushtrisë kanë dalë publikisht vetëm amerikanët, të cilët këtë javë furnizuan FSK-në edhe me autoblindat e reja, plot 24 sosh të tipit Humvee.

Votimi për themelimin e ushtrisë, do të mbahet në mëngjesin e së premtes. Është paralajmëruar se do të ketë edhe festë shtetërore pas miratimit të projektligjeve.