Masat ne Zelandën e Re, ndalohen armët gjysmëautomatike

Zelanda e Re do t’i ndalojë të gjitha armët gjysmëautomatike të stilit ushtarak. Pas ngjarjes së Christchurchit, autoritetet neozelandeze janë bindur se është momenti për masa të forta.

Njoftimin e bëri vet kryeministrja Jacinda Ardern, e cila është përpjekur ta tregojë me çdo mënyrë të mundshme se, në vendin e qetë të saj ngjarje të tilla janë të papranueshme.

“Më 15 mars, historia jonë ndryshoi përgjithmonë. Tani, kjo do të ndodhë edhe me ligjet tona. Ne po e njoftojmë këtë aksion të forcimit të ligjeve tona të armëve, në emër të të gjithë neozelandezëve dhe me qëllimin ta bëjmë kombin një vend më të sigurtë”, tha Jacinda.

Legjislacioni – shtoi Ardern, – do të hartohet dhe miratohet me urgjencë. Kryeministrja pohoi gjithashtu se e premtja, që shënon një javë pas sulmit, do të jetë një ditë reflektimi mbarëkombëtar.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ndërkohë, tha se masakra në Christchurch, ku u vranë 50 vetë, nuk ka lidhje me Krishtërimin dhe se sulmuesi nuk është i ndryshëm nga terroristët e Shtetit Islamik.

“Ajo që ndodhi në Zelandën e Re ishte produkti toksik i injorancës dhe urrejtjes”, ka shkruar ai në një artikull të botuar nga “Ëashington Post”.

Së fundi është mësuar se autori i gjakderdhjes, supremacisti i bardhë australian, Brenton Tarrant kishte udhëtuar disa muaj përpara ngjarjes në vende të ndryshme europiane, ku janë zhvilluar beteja me Perandorinë Osmane që i parapriu Turqisë moderne.