Marko Gjuriqit i refuzohet hyrja në Kosovë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, paralajmëroi se të dielën do të jetë në veri të vendit, ditën kur qytetarët atje do të votojnë për të zgjedhur kryetarët e katër komunave, mirëpo Gjuriqit nuk do i lejohet të hyjë në Kosovë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Këshilltari politik i ministrit të Jashtëm, Jetlir Zyberaj, tha se kërkesa për vizitë nuk i është aprovuar Gjuriqit sepse nuk është në përputhje me kriteret e marrëveshjes së Brukselit.

“Ka kërkuar sot leje, po ia kemi refuzuar, sepse nuk është në përputhje me kriteret e marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Zyberaj.

Ndërkaq, në një intervistë për televizionin shtetëror serb, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, tha se nesër (e diel), do ta vizitojë veriun e Kosovës.

Ai planifikoi vizitë sepsi siç u shpreh këto zgjedhje janë të rëndësishme për t’i mbrojtur interesat e Serbisë. Por, një vizitë e tillë nuk do të jetë e mundur sepse MPJ nuk ia ka aprovuar kërkesën atij.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen nesër  në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave.

Dorëheqja e tyre ka ardhur për shkak të taksës 100% të vendosur nga Qeveria e Kosovës. Për disa muaj rresht, këto komuna mbetën pa kryetar, më pas presidenti Thaçi, mori vendim për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Vitin e kaluar, Policia e Kosovës ka arrestuar në Mitrovicë të Veriut shefin e të ashtuquajturës zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq.