Mallrat e Serbisë pakësohen dukshëm në tregun e Kosovës

Janë bërë gati tetë muaj kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Që nga kjo periudhë, importi nga Serbia ka shënuar rënie drastike, thonë autoritetet kompetente në Kosovë.

Serbia, e cila para vendosjes së taksës ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë, për këta tetë muajt e fundit ka rënë si eksportuese e mallrave në rreth 4 milionë euro.

Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit të kaluar, gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo më shumë se 360 milionë euro brenda një viti.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se “gjatë ditëve të fundit nuk është vërejtur ndonjë rritje e importit nga Serbia apo rritje e kontrabandës.

“Më duhet të theksoj se mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nga nëntori i vitit të kaluar, kanë shënuar rënie drastike, kur flitet për importin”, bën të ditur Stavileci.

Mesatarja ditore e importeve nga Serbia, thotë Stavileci, është rreth 10 dërgesa, ku një pjesë prej tyre janë ndihma humanitare, disa janë dërgesa komerciale, të cilat i nënshtrohen taksës prej 100 për qind. Produktet komerciale janë, ushqime, lëndë e parë, paketimi etj.

“Vlera e përgjithshme e importeve nga Serbia ka arritur në rreth 4 milionë euro”, thotë Stavileci.

Vetëm në muajin maj, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importi i mallrave nga Serbia në Kosovë ishte 519 mijë euro, nga më shumë se 39 milionë euro sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Gjatë kësaj periudhe, të aplikimit të taksës, disa shoqata ekonomike dhe organizata joqeveritare kanë bërë hulumtime lidhur me efektet e taksës nga aspekti ekonomik. Disa hulumtime kanë rezultuar se kjo taksë ka ndikuar në rritjen e prodhimeve vendore, përderisa organizata joqeveritare kanë pohuar se efektet nuk kanë qenë në nivel të kënaqshëm.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se edhe pas vendosjes së taksës, në treg nuk ka pasur mungesë të produkteve, pasi afaristët në Kosovë shumë shpejt kanë gjetur alternativa për zëvendësim të produkteve nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian.

“Ne i konsiderojmë dy efekte kryesore, i pari ka të bëjë me riorientimin e tregtisë. Për të gjitha ato produkte, me të cilat tregu i Kosovës është furnizuar nga Serbia dhe Bosnja, sot ka zëvendësime nga vendet tjera. Dhe e dyta, ajo që vërehet është një prezencë më e madhe e produkteve vendore të konsumit të gjerë”, thekson Rukiqi.

Po, sipas të dhënave të ASK-së, nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, me pjesëmarrje më të lartë të importit në Kosovë janë Gjermania, Greqia dhe Italia, kurse nga vendet e rajonit më produkte me sasi më të mëdha në tregun e Kosovës është Shqipëria e pasuar nga Maqedonia e Veriut.

Një efekt tjetër i taksës, është edhe luhatja e çmimeve. Berat Rukiqi thotë se gjatë kësaj periudhe ka pasur një ngritje të lehte të çmimeve në disa nga artikujt.

“Sa i përket çmimeve, normalisht që për disa produkte ka pasur një ngritje të çmimit jo shumë të madhe, sidomos për shkak të kostos të transportit. Në çdo rast furnizimi nga vendet më të largëta ka kosto më madhe të transportit dhe kjo ka ndikuar edhe në çmime”, shpjegon Rukiqi.

Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, ka marrë vendim për taksën doganore, fillimisht 10 për qind e më pas 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Përveç efekteve ekonomike kjo taksë ka paraqitur edhe efekte politike. Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo anulimin e kësaj takse. Vendosjen e taksës, Beogradi e ka cilësuar si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, autoritetet në Prishtinë kanë deklaruar se taksa 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk paraqet pengesë për vazhdimin e dialogut, por pengesa qëndron në mungesën e gatishmërisë së Serbisë për ta njohur Kosovën.