Mali i Zi lejon përdorimin e flamurit kuq e zi

Parlamenti malazez ka miratuar projektligjin për simbolet kombëtare.

Me 41 vota pro, projektligji i hartuar nga ministria për të drejtat e njeriut dhe pakicave në Malin e Zi, garanton edhe përdorimin e lirshëm të flamurit shqiptar, nga shqiptarët e Malit të Zi, ndërkohë që është fshirë totalisht neni 23, për rendin dhe qetësinë publike, përmes të cilit sanksionohej përdorimi i flamurit shqiptar. Duke u bazuar në këtë ligj, vitet e fundit janë gjobitur shumë shqiptarë të malit të zi, që kishin përdorur flamurin shqiptar.

Ministri për të drejtat e njeriut dhe pakicat, Mehmed Zenka, tha se miratimi i këtij ligji do të forcojë vlerën multinaconale të Malit të Zi.

Siç theksoi, miratimi i projekt-ligjit do të forcojë të gjitha arritjet pozitive të Malit të Zi në dy dekadat e fundit. Nënkryetari i Kuvendit malazez, Genci Nimanbegu, tha se simbolet kombëtare janë pjesë e të drejtave themelore të njeriut, njësoj si e drejta e të shprehurit. Ai tha se në asnjë vend të demokracisë të Evropës Perëndimore nuk mund të ndëshkohet askush për përdorimin e flamurit. Bashkimi Evropian lejon përdorimin e lirë të flamujve sepse kjo është një e drejtë themelore e njeriut”, tha Nimanbegu./tch