Mali, 20 ushtarë të vdekur në një sulm të armatosur

Së paku 20 ushtarë nga Mali janë vrarë gjatë një sulmi para agimit të së dielës kur një person i armatosur, dyshohet se ishte militant, sulmoi një bazë ushtarake në Sokolo, afër kufirit me Mauritaninë, bëri të ditur ushtria në një njoftim, raporton Anadolu Agency (AA).

“Vlerësimi i përkohshëm i këtij sulmi frikacak është rreth njëzet të vdekur dhe disa të plagosur”, thuhet në njoftimin, duke shtuar se sulmi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.

Më tej ushtria tha se dërgoi përforcim në vendngjarje dhe është në proces të dërgimit të helikopterëve për të gjurmuar militantët e dyshuar.

“Qeveria e Malit me forcë dënon këtë sulm”, thuhet në njoftim.

Deri më tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por Mali, si dhe fqinjët e tij në rajonin Sahel, është bastioni i shumë grupeve terroriste, përfshirë al-Kaedën në Maghrebin Islamik (AQIM) dhe DEASH.

Në ditën e Krishtlindjes, presidenti i Burkina Faso, Roch Marc Christian Kabore, shpalli 48 orë zi kombëtare pasi militantët vranë të paktën 35 civilë dhe shtatë ushtarë në një nga sulmet më vdekjeprurëse në vendin e Afrikës Perëndimore.