Makina e së ardhmes, Mercedes prezanton Vision AVTR

Mercedes Vision AVTR, duket dhe ndjehet si një lloj ufo-je që sapo është ulur në mesin e panairit të teknologjisë në Las Vegas, CES 2020, ku edhe u prezantua.

Makina e re, Mercedes Vision AVTR, është një makinë mahnitëse e të ardhmes që mishëron mënyrën se si Mercedes Benz e mendon të ardhmen dhe avancimin e teknologjisë së automobilëve. Kompania gjermane, i imagjinon makinat e veta si krijesa të gjallë, dhe Vision AVTR, e frymëzuar nga filmi fantastiko-shkencor Avatar, është dëshmia më e mirë.

AVTR ka një dizajn dukshëm të frymëzuar nga bota e Pandorës, universi imagjinar ku është vendosur filmi i regjisorit James Cameron me krijesat e tij ngjyrë blu, në përpjekje për të demonstruar një mënyrë të re se si njerëzit, makina dhe natyra mund të ndërveprojnë.

“Ne nuk donim të krijonim një makinë. Ne donim të krijonim diçka që i ngjan një organizmi të gjallë”, thanë projektuesit gjermanë.

Makina është në gjendje të regjistrojë rrahjet e zemrës së pasagjerit, dhe frymëmarrjen e tij, pasi të vendoset dora në njësinë e kontrollit. Nëse pasagjeri ngre dorën, një menu projektohet në pëllëmbë dhe ai mund të zgjedhë funksione të ndryshme. AVTR është një makinë elektrike, që mund të zhvendoset edhe anash. Ndërsa timoni është i zëvendësuar me një njësi kontrolli. Sidoqoftë, AVTR është vetëm një koncept ndaj mos prisni që ta shikoni fort shpejt në rrugë./tch

SHPËRNDAJE