Macron: Vendimi i BE-së për Brexit-in në fund të javës

Bashkimi Evropian (BE) nga fundi i javës do të vendos nëse marrëveshja e largimit të Britanisë së Madhe nga blloku do të jetë i mundur, i ka thënë kryeministrit britanik Boris Johnson, presidenti francez, Emmanuel Macron, transmeton Anadolu Agency (AA). 

Macron në një bisedë telefonike me kryeministrin britanik theksoi se bisedimet tani duhet të fillojnë shpejtë për të parë nëse marrëveshja respekton parimet e BE-së. 

“Bisedimet duhet të vazhdojnë së shpejti në ditët në vijim ashtu që në fund të javës të vlerësohet nëse është e mundur marrëveshje që respekton parimet e BE-së”, ka thënë Macron, njoftoi qeveria franceze, transmetojnë mediat britanike. 

Kryeministri britanik, Boris Johnson, me këtë rast paralajmëroi Macron se nuk do të ketë shtyrje të Brexit-it të planifikuar për 31 tetor, duke theksuar se “ky është shansi i fundit” për arritjen e marrëveshjes. 

Johnson shprehu bindjen për arritje të marrëveshjes, por se BE duhet të pranojë kompromiset e propozuara nga Britania e Madhe. 

Këshilltari diplomatik i kryeministrit britanik, David Frost, të hënën do të realizojë bisedime me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, ndërsa sekretari i Brexit-it, Stephen Barclay, do të vizitojë kryeqendrën e BE-së. 

Johnson insiston që Britania e Madhe më 31 tetor do të largohet nga BE me ose pa marrëveshje, por parlamenti britanik miratoi një ligj sipas të cilit kërkon nga ai një shtyrje të afatit nëse nuk arrihet marrëveshje.