Macron: Të reformohet zona Shengen, nuk po funksionon më

Presidenti francez, Emanuel Macron, është shprehur se zona Shengen duhet të reformohet dhe ato vende që nuk respektojnë rregullat duhen të largohen.

Në një konferencë maratonë për shtyp, Macron tha se marrëveshja e vitit 1985, nga e cila përfiton edhe Shqipëria, po keqpërdoret nga vendet që kërkojnë lëvizjen e lirë nëpër Evropë, por nuk bëjnë sa duhet për të përballuar krizën e emigrantëve me të cilën kontinenti po përballet prej vitesh.

“E famshmja zona Shengen nuk funksionon më. Duhet t’i rikonceptojmë nga fillimi politikat tona të emigracionit. Duhet të mendojmë për një Evropë me kufij të fortë dhe të mbrojtur, me të drejta të përbashkëta për azilkërkuesit, ku secili shtet anëtar mban përgjegjësi dhe është solidar me të tjerët,“-tha Macron.

Deklarata e presidentit vjen pas pakënaqësive të shprehura nga qytetarët francezë lidhur me problemet e emigracionit, temë e cila po shfrytëzohet edhe partitë e ekstremit të djathtë në vend.