Lumenjtë e botës të mbushur me antibiotikë

Lumenjtë nëpër botë janë të mbushur me antibiotikë. Në këtë përfundim ka arritur një studim i kohëve të fundit i bërë nga një grup ekspertësh të Universitetit të Jorkut. Afrika dhe Azia kanë nivelin më të lartë të lëndëve kimike në ujërat e tyre, por ky problem nuk i përjashton as ujërat në pjesët tjera të botës.

Prandaj, studiuesit thonë se kjo çështje duhet të trajtohet si problem global.

John Wilkinson nga Universiteti i Jorkut me ekipin e tij të hulumtuesve, udhëtoi në 72 vende të botës për të testuar ujërat për 14 lloje antibiotikësh të zakonshëm.

Ai gjeti antibiotikë në 65 përqind të lumenjve që testoi. Por nga vijnë gjithë këto kimikate? Wilkinson thotë se ende është e paqartë.

“Është e vështirë të përgjithësohet në të dhënat tona. Krejt çfarë mund të themi është se kemi identifikuar pjesët ku niveli i këtyre kimikateve është shumë i lartë”, është shprehur ai.

Grumbullimi i të dhënave u mundëson studiuesve që të gjejnë mënyrën se si të pengohet kjo dukuri e rrezikshme. Marrja e masave është prioritet, sepse këta antibiotikë mund të jenë shkaku i përhapjes së baktiereve rezistente ndaj medikamenteve.

Sipas studiuesve, gjendja më e rënduar është në Afrikë dhe Azi, por nga rreziku nuk përjashtohen as Evropa, Amerika veriore dhe ajo jugore. Prandaj, hulumtuesit thonë se ky është një rrezik global.

SHPËRNDAJE