Lugina e Preshevës, edhe një vit shkollor pa libra në gjuhën shqipe

Gjersa nxënësit shqiptarë nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja vazhdojnë mësimin pa libra gjuhën amtare, Këshilli Kombëtarë Shqiptar e cilëson këtë si një shkelje të të drejtave të fëmijëve, ndërkohë që nga Ministria e Arsimit e Serbisë kërkojnë të ndërmarrin “masa të ndryshme afirmative që librat sa më shpejt të sigurohen”.

Ekipi i Anadolu Agency (AA) vizitoi Bujanocin, për të parë se si ballafaqohen me këtë situatë nxënësit e shkollës së mesme “Sezai Surroi”.

Nxënësja e vitit të parë Vanesa Latifi është një nga 900 nxënësit e shkollës, në të cilën mësojnë gjimnazistë, teknikë të ardhshëm mjekësorë, teknikë mekanikë, administratorë financiarë, teknikë elektrikë, automekanikë dhe bravandreqës. Vetëm gjuha dhe letërsia shqipe dhe gjuhët e huaja mësohen nga librat shkollorë zyrtarë dhe të miratuara. Vanesa do të jetë një infermiere, dhe për të pasur nga ku të mësojë, ajo detyrohet të shkruajë diktimin për pjesën më të madhe të orës. Ajo gjithashtu e gjen veten duke kopjuar fletoret dhe shënimet e gjeneratave të mëparshme.

“Nuk kemi libra. Kopjojmë, pastaj mësojmë dhe kështu…Mësojmë edhe nga televizori. Profesori bën një prezantim, ai e prezanton atë dhe ne e mësojmë”, tregon Vanesa.

Një nga arsimtarët e saj, Argjent Ferati, në ligjerata përdor një laptop dhe një televizor që ka në çdo klasë. Për të përgatitur një orë mësiomre, ai harxhon të paktën katër orë duke lexuar në gjuhën angleze, gjermane dhe serbe, duke i përkthyer përfundimisht në shqip.

“Nuk është e vështirë për mua, por për nxënësit është e vështirë. Nëse duan të lexojnë diçka më shumë se ato që unë u jap, ata nuk kanë libra shkollorë. Atyre u mungon kjo. Ata kanë shumë pyetje: ‘Pse nuk kemi tekste në gjuhën tonë?’, ‘Pse profesorët gjithmonë duhet të diktojnë dhe ne duhet të shkruajmë?'”, thotë Ferati.

Nëse, shton ai, do të diktoja të gjitha mësimet e anatomisë në vend që të përgatisja prezantime, shkrimi do të zgjaste të paktën nëntë orë. Ai konsideron se përkthimi i teksteve serbe mund të jetë problematik, sepse është e nevojshme që përkthyesi të jetë nga profesioni mjekësor në mënyrë që të shmangen gabimet.

“Nuk është e mundur të përkthesh tekstin saktësisht nga serbishtja në shqip. Kjo duhet të merret nga Shqipëria ose nga Kosova, për të parë se çfarë mësojnë ata. Nëse ka diçka që Ministria serbe e Arsimit nuk i jep rëndësi, ne mund të koordinojmë vetë dhe të bëjmë një tekst edhe më të mirë se ai ekzistues”, sugjeron arsimtari.

Përkthimi i teksteve shkollore të aprovuara, të shkruara në gjuhën serbe, është një nga mundësitë e lejuara me ligj në Serbi, thotë Ministria e Arsimit. Si opsion tjetër është mundësia e shkrimit të librave shkollorë autorialë në gjuhët e pakicave.

Megjithatë, Këshilli Kombëtar Shqiptar thekson se këto mundësi janë problematike.

“Jemi përpjekur ta zgjidhim problemin përmes përkthyesve, por ata, fjalën ‘magnetic field’, pra, fushë magentike, në gjuhën shqipe e kanë përkthyer si ‘kullotë magnetike’, dhe ‘sferat’ si ‘topa’. Është e palejueshme të bëhen gabime të tilla thelbësore në librat shkollorë. Kishim edhe autorë vendorë, por pak”, thotë kryetari i Këshillit Ragmi Mustafa.

Ligji gjithashtu lejon importimin e librave shkollorë nga vendi i origjinës si opsion, por teksti i importuar duhet të mbulojë 70 për qind të përmbajtjes së planprogramit aktual në Republikën e Serbisë. Mustafa e sheh këtë si një problem, pasi, siç thotë ai, arsimi në Shqipëri ka shkuar më tej në reforma.

Ministria serbe e Arsimit thotë se është krijuar një bashkëpunim më efektiv në marrjen e teksteve shkollore që mungojnë në gjuhën shqipe.

“Shtëpia botuese ‘Albas’, me iniciativën e Ministrisë, ka filluar një procedurë për importimin e librave shkollorë nga Republika e Shqipërisë, bazuar në një listë të librave shkollorë të paraqitur nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Pas vlerësimit profesional të përputhshmërisë së planprogramit të librave shkollorë që i nënshtrohen importit nga Republika e Shqipërisë, tekstet shkollore që përputhen me 70 për qind të programit tonë të mësimdhënies dhe mësimnxënies, do të importohen dhe do të jenë në dispozicion të nxënësve”, përgjigjet Ministria e Arsimit e Serbisë.

Përveç kësaj, është duke u negociuar një marrëveshje bilaterale midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e arsimit, e cila, siç njofton ministria serbe, së shpejti do të nënshkruhet, kurse komitetet e përziera të ekspertëve të ministrive të dy vendeve “janë duke punuar në modelet e blerjes së librave shkollorë”.

Deri më tani, sipas ministrisë, 86 tituj të librave shkollorë në gjuhën shqipe janë miratuar për arsimin fillor dhe të mesëm dhe pesë për arsimin parashkollor. Që nga fillimi i reformës arsimore, shtatë janë miratuar dhe 15 libra shkollorë janë në procesin e miratimit.

Këshilli Kombëtar Shqiptar thekson se problemi i mungesës së librave shkollorë në gjuhën shqipe nuk është një “çështje teknike, administrative ose procedurale”, por është, thonë ata, një “çështje e të drejtave të fëmijëve” e garantuar me konventat ndërkombëtare dhe ligjet në Serbi.

“Ajo që ne gjithashtu i thamë ministrisë është një e drejtë themelore e njeriut, gjegjësisht e drejtë e fëmijëve. Republika e Serbisë është e detyruar të sigurojë arsim bazë për çdo qytetar, fëmijë. Kjo është e drejtë themelore e çdo fëmije në Serbi, në këtë rast ata i përkasin pakicës kombëtare shqiptare”, thotë Ragmi Mustafa, kryetari i Këshillit.

Librat në gjuhën amë të shumë lëndëve mësimore i presin rreth shtatë mijë nxënës nga dhjetë shkolla fillore dhe tre të mesme në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.

SHPËRNDAJE