Lugina e Preshevës dhe 15 vite me 15 zhgënjime!

Në Luginë, që prej përfundimit të luftës së fundit, prej politikanëve shqiptarë të kësaj ane është krijuar vetëm një klimë: klima e gënjeshtrave të mëdha!

Qytetarët shqiptarë të zonës së Luginës, kanë më se 15 vite që gënjehen prej politikanëve që i përfaqësojnë.

Bile, politikanët sa vijnë e shtohen, e gënjeshtrat si premtime mbesin të njëjta. Trashëgohen prej politikanëve në politikanë!

Shqiptarët e kësaj zone, gjatë gjithë kësaj kohe janë gënjyer:

1. PËR ÇMILITARIZIMIN E VENDIT

Edhe pse gjatë gjithë kësaj kohe popullata shqiptare e kësaj zone është premtuar nga këta politikanë se do të angazhohen për demilitarizimin e rajonit tonë nga forcat ushtarake e policore serbe, numri i këtyre të fundit sa ka shkuar duke u rritur. Prezenca e tyre vërehet nëpër rrugë, në çdo kohë, duke bërë presion mbi qytetarët shqiptarë të kësaj ane. Jashtë kësaj, shteti ka ndërtuar edhe një bazë të fuqishme ushtarake, në frymën e ruajtjes së sovranitetit të territorit të saj.

2. PËR AMNISTIMIN E ISH-USHTARËVE TË UÇPMB-së

Ish-ushtarët e UÇPMB-së, të cilët sakrifikuan jetën e tyre, për një copë lirie që e gëzojmë sot, vazhdojnë të mbeten kategoria më e diskriminuar e shoqërisë sonë, të udhëhequr nga këta politikanë.

Ata jo që nuk janë amnistuar nga Serbia, por edhe në ato vende ku jetojnë përkohësisht e pavullnetshëm, diskriminohen, burgosen e keqtrajtohen nga organe të caktuara kompetente.

3. PËR PËRDORIMIN E SIMBOLEVE KOMBËTARE

Sot e kësaj dite, shqiptarët e Luginës nuk guxojnë t’i përdorin lirshëm simbolet e tyre kombëtare. Ata madje dënohen dhe i nënshtrohen procedurave të ndryshme juridike kur për ndonjë festë të caktuar përdorin e shpalosin flamurin e tyre kombëtar.

4. PËR ZBATIMIN NË PRAKTIKË TË GJUHËS SHQIPE, SI GJUHË AMTARE

Edhe pse me gojën plotë nga këta politikanë, është premtuar për përdorimin në praktikë të gjuhës sonë amtare, gjuha shqipe është neglizhuar deri në maksimum edhe nga vetë këta politikanë, që edhe kur e flasin dhe e shkruajnë, bëjnë më dhjetëra gabime të pafalshme gjuhësore.

5. PËR LIBRAT NË GJUHËN SHQIPE

Librat shqip, edhe sot e kësaj dite janë mungesa elementare e fëmijëve të shqiptarëve të Luginës. Atyre edhe përkundër faktit se iu është premtuar një zgjidhje në këtë drejtim, librat në gjuhën shqipe janë shumë larg duarve dhe mendjeve të tyre.

6. PËR NJOHJEN E DIPLOMAVE UNIVERSITARE NGA KOSOVA

Një numër i madh i studentëve shqiptarë të Luginës, që kanë mbaruar studimet në Kosovë apo vazhdojnë t’i vijojnë akoma, ballafaqohet fuqishëm me mos njohjen e diplomave universitare nga Serbia.

Dëshirës së tyre të flaktë për t’u kthyer në vendlindje e për të dhënë kontributin e tyre i qëndron karshi mos interesimi konkret i politikanëve shqiptarë për të zgjidhur këtë problem.

7. PËR ZHVILLIM EKONOMIK

Njëmijë e një premtime të kësaj fushe, u janë servuar shqiptarëve të Luginës, duke ua humbur shpresën e vërtetë për një mirëqenie ndryshe në këtë anë. Situata ekonomike vetëm sa është përkeqësuar e numri i të papunëve shqiptarë sa shkon e rritet.

8. PËR INTEGRIMIN E SHQIPTARËVE NË ORGANE MË TË LARTA SHTETËRORE

Në ndërkohë që është premtuar për proporcionalitet të shqiptarëve në vendim marrje, numri i shqiptarëve të integruar në institucione më të larta shtetërore sa ka shkuar duke u zvogëluar.

9. PËR KTHIMIN E TË SHPËRNGULURVE

Një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të Luginës, nga presioni dhe dhuna sistematike e shtetit serb janë larguar drejtë Kosovës dhe viseve tjera etnike, gjatë luftës sonë të fundit. Këtyre njerëzve u premtohet sa herë që vijnë zgjedhjet, se do t’u mundësohet kthimi i tyre në vendlindje.

10. PËR ASOCIACIONIN E KOMUNAVE SHQIPTARE, ME NJË VULLNET TË NGRIRË POLITIK

Si pasojë e mos përfshirjes së shqiptarëve të Luginës në bisedimet mes Kosovës e Serbisë e si shenjë reciprociteti të rrejshëm me veprimtarinë politike të serbëve të Kosovës, këta politikanë kanë nënshkruar në letër një projekt të themelimit të Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi.

Kjo iniciativë e ngrirë politike nuk është jetësuar kurrë, e as nuk pritet të jetësohet ndonjëherë.

11. PËR FONDET EKONOMIKE TË KOSOVËS E SHQIPËRISË

Kosova e Shqipëria kanë premtuar disa herë për disa fonde financiare për Luginën. Këta politikanë përveç që e kanë humbur mundësinë e tërheqjes së këtyre mjeteve financiare ata kanë humbur edhe besimin e autoriteteve nga Kosova e Shqipëria, se do të mund të jetësohet ndonjë bashkëpunim i ndërsjellë në mes tyre.

12. PËR ZBARDHJEN E VRASJEVE ENIGMATIKE DHE REHABILITIMIN E TË PËRNDJEKURVE POLITIKË

Janë një numër i konsiderueshëm i njerëzve që gjatë luftës së fundit janë vrarë e persekutuar fizikisht e psikologjikisht nga institucione të caktuara të Serbisë.

Për këta njerëz, fati i të cilëve nuk u zbardh kurrë, nga këta politikanë është premtuar kaherë se do të angazhohen për zbardhjen e fateve të tyre. Në këtë fenomen bënë pjesë edhe hiq më pak se vrasja e komandantit dhe kryenegociatorit të palës shqiptare gjatë luftës së fundit, Ridvan Qazimit – Komandant Lleshit.

13. PËR ZONËN E LIRË TREGTARE DHE QARKULLIMIN E LIRË NDËRKUFITAR ME KOSOVËN

Zona e lirë tregtare kaherë ka mbetur vetëm në suaza të premtimeve boshe të këtyre politikanëve. Prodhuesit e Luginës, të paktë në numër, pos vështirësive tjera shtesë, ata kanë pengesa edhe për plasimin e produkteve të tyre në Kosovë.

E, qytetarët shqiptarë të Luginës keqtrajtohen nëpër pikat kufitare me Kosovën, në situata të caktuara kohore, pavarësisht marrëveshjeve politike e teknike në mes dy shteteve.

14. PËR PLATFORMAT POLITIKE

Janë hartuar e përpiluar disa platforma politike, me vullnet e unitet të ngrirë politik, për të jetësuar aspiratat e rrejshme të këtyre politikanëve, interesi i të cilëve nuk i ka kaluar asnjëherë kufijtë personal e klanor.

15. PËR IDENTITETIN DHE TRASHËGIMINË KULTURORE

Edhe për zhvillimin dhe afirmimin e kulturës sonë janë gënjyer shqiptarët e kësaj ane. Lapidari i dëshmorëve në Preshevë dhe largimi e tij me dhunë nga autoritetet serbe është një shembull tipik i pasqyrimit të interesave politike të këtyre politikanëve.

Ka kaq vite që kanë premtuar se do ta kthejnë Lapidarin, e ai, sikur shpresa e qytetarëve tanë, është strukur diku me dhunë e mbahet peng nga idetë e qëllimet shoviniste të shtetit serb.

Më pastaj, vrasim mendjet tona se pse po shpërngulet Lugina prej shqiptarëve?!

Vetëm një pyetje mund të shtrohet në këtë kontekst: Me çfarë motivi mund të rrinë këta politikanë akoma në pushtet?/Mesazhi/