“Lufta” tregtare, ministri maqedonas i Ekonomisë sot qëndron në Kosovë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala sot do të presë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.

Ky takim vjen vetëm katër ditë pasi Kosova vendosi masa reciprociteti ndaj mjaltit dhe patateve të Maqedonisë Veriore, për shkak se kjo e fundit është duke aplikuar barriera tarifore ndaj produkteve të Kosovës.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nga qershori i këtij viti kur rasadit të peshkut i janë vendosur barriera tarifore nga ky shtet fqinj, ka dërguar ankesa përmes sekretariatit të CEFTA-së dhe po ashtu iu ka drejtuar me letër ministrit Bekteshi, por pala kosovare nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

Dhe pas dy muajsh pa asnjë përgjigje përmes një vendimi të veçantë Shala urdhëroi implementimin e masave reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndalojë hyrjen e disa produkteve.

Kjo sipas tij, në mënyrë që të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektojë dhe të ketë tretman të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet.