“Luani i shkretëtirës”, 87 vite nga ekzekutimi i Omer Muhtarit

Kanë kaluar 87 vite që nga ekzekutimi i Omer Muhtar, i cili u bë një simbol botëror me rezistencën që ai kreu kundër forcave pushtuese italiane në Libi dhe u quajt “Luani i shkretëtirës”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Muhtar, i cili lindi në rajonin malor Xhebel Ahdar të Libisë, në vitet 1860, u arsimua në medresenë e Lëvizjes Senusi. Muhtari i cili tregoi një sukses në arsimimin e tij dhe tërhoqi vëmendjen e krerëve të lëvizjes në vitin 1899 ai kreu një luftë të armatosur kundër punimeve koloniale dhe misionare të francezëve.

Italia në vitin 1911 duke nisur luftën e saj pushtuese ndaj Libisë sulmoi Tripolin dhe Bengazin. Forcat italiane kërkuan dorëzimin e forcave osmane që ndodheshin në rajon, por këto të fundit duke refuzuar këtë bashkë me njësitë e mbrojtjes lokale të Libisë luftuan kundër italianëve duke u tërhequr në pjesët e brendshme të vendit.

Pasi njësitë osmane u tërhoqën në Anadoll pas shpërthimit të luftës ballkanike, italianët morën nën kontroll rajonet Tripoli, Fezzan dhe Cyrenaica të Trablusgarp (Tripolitania).

Omer Muhtar, i cili ishte mësues i Kur’anit dhe shkencave islame, u shkaktoi goditje të mëdha italianëve përmes taktikave luftarake strategjike, meqenëse njihte nga afër rajonin. Ai mori nofkën “Luani i shkretëtirës” nga suksesi që tregoi në luftë, ndërsa rezistoi për 22 vite kundër okupimit italian edhe përkundër moshës së shtyrë, duke kthyer shumë guvernatorë okupatorë në vendin e tyre me disfatat që u shkaktoi.

Pas ndryshimeve ne qeverinë italiane me ardhjen në krye të qeverisë kreu fashist Benito Mussolini, emëroi në rajon si guvernator italian në vitin 1930 gjeneralin Radolfo Graziani.

Pasi forcat italiane të udhëhequra nga Graziani dështuan në përpjekjet kundër forcave të rezistencës kombëtare, në vitin 1931 Italia ndërmori një taktikë të re të përgjakshme në rajon, me miratim edhe nga Musolini.

Rreth 100 mijë civilë nga popullata lokale në rajonin Xhebel Ahdar u mblodhën në kampe përqendrimi në rripin bregdetar dhe njëkohësisht u mbyll kufiri me Egjiptin, duke e mbyllur kështu linjën mbështetëse për rezustencën libiane.

Njësitë Senusi të kryesuara nga Muhtar vazhduan përpjekjen e tyre, megjithatë, pas sulmeve të bashkëpunëtorëve vendas me italianët dhe sulmeve ajrore të italianëve, Muhtar u zu në pritë më 11 shtator të vitit 1931 në rajonin Slonta, ku ai u plagos dhe u kap.

Ai u dënua me vdekje nga një e ashtuquajtur gjykatë në kampin ku forcat italiane kishin burgosur të kapurit në luftën në Slonta, ndërsa më 16 shtator të vitit 1931 u ekzekutua.

Komandanti italian Graziani pas njohjes me Omer Muhtarin kishte thënë: “Ishte me përmasa mesatare, me trup të mbushur, me flokë, mjekër dhe mustaqe të bardha, ishte i shkathët dhe i zgjuar, i pajisur me dije fetare, energjik dhe kishte karakter të fortë. Ishte vetë-sakrifikues dhe i papërkulur. Edhe pse ishte një nga liderët më të spikatur të Lëvizjes Senusi, ai mbeti i devotshëm dhe i varfër”.

– “Luani i shkretëtirës” në kinematografi

Përpjekja e Omer Muhtarit, i cili u shndërrua në hero kombëtar në Libi për rezistencën kundër italianëve, është shfaqur edhe në kinematografinë e Hollywoodit. Regjisori sirian, Mustafa Akkad, i cili njihet për filmin “Mesazhi”, në filmin “Luani i shkretëtirës” (1981) solli para spektatorëve rezistencën e Omer Muhtarit.

Filmi u financua edhe nga lideri libian i asaj kohe, Muammer el-Gadafi, ndërsa rolin e Omer Muhtarit e luajti aktori i çmimit Oscar, Anthony Quinn.

Fjalët “Ne jemi popull që nuk e dimë çfarë është dorëzimi, o fitojmë, o vdesim” që në film i atribuohen Omer Muhtarit, libianët i shfaqën në pankarta gjatë ngjarjeve që u emërtuan si “Pranvera Arabe”.

– Destabiliteti në Libi

Me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në procesin e “Pranverës Arabe” në vitin 2011 u rrëzua qeveria e Muammer el-Kaddafi i cili qeverisi Libinë për 42 vite me “grushtin e hekurt”. Por Libia që prej 7 vitesh është skenë e një lufte të përgjakshme për pushtetin dhe burimet natyrore të grupeve të luftës të mbështetura nga forcat rajonale.

Sot, Libia po kërkon zgjidhje për të arritur stabilitetin, duke treguar përpjekje kundër sulmeve me bomba, atentateve, ekzekutimeve pa gjyq, konflikte të brendshme dhe depresionin ekonomik.

SHPËRNDAJE