Lorik Cana tifozëve: Kombëtarja ka nevojë të madhe për ju

Ish-kapiteni Lorik Cana i bën thirrje tifozëve që të përkrahin kombëtaren në ndeshjen ndaj Izraelit, në Ligën e Kombeve. Cana shpreson që të lihet prapa çdo pakënaqësi pasi ekipi është në moment të vështirë.

Kur ende ishte aktiv, tifozët e donin pa masë.

Me kapitenin Lorik Cana dhe me Xhani De Biazin në stol, kombëtarja ishte idhulli kolektiv i publikut shqiptar, duke arritur deri në Euro 2016, por tani duket se relatat janë në krizë.

Dy humbjet radhazi të ekipit përfaqësues të trajnerit Kristian Panuçi, përkatësisht në miqësoret ndaj Kosovës dhe Ukrainës, mërzitën jo pak.

Po ashtu, edhe problemet që patën tifozët kuqezinj në ndeshje të kaluara në shtëpi, si ajo me Izraelin.

Tani vjen sërish ndeshja me Izraelin, një sfidë zyrtare e Ligës së Kombeve, dhe Cana ka besim tek tifozët.

“Padyshim duhet ta përkrahin, siç e kanë bërë disa herë me më shumë prezencë me më shumë pasion, por ka një dëshirë, një dashamirësi ndaj ekipit kombëtar, i cili nuk mungon asnjëherë sidomos në momente kur ekipi kombëtar dhe skuadra kanë nevojë më shumë”, tha Cana.

Ish-kapiteni tregon se përse mbështetja duhet më shumë se kurrë.

“Fillon një edicion i ri me shumë lojtarë që  kanë pak probleme dëmtimesh, pak probleme me skluadra dhe në këtë moment pjesa e mbështetjes bëhet më shumë e rëndësishme se kurrë. Unë i pari do të jem në stadium dhe do ta mbështes me shumë dëshirë dhe shumë qejf. Jam shumë i bindur që do të krijohet një ekip që do të na japë shumë siguri në të ardhmen”, tha Cana./abcnews.al

SHPËRNDAJE