Lluka: Do të bëjmë gjithçka për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Qeveria e Kosovës do të bëjë gjithçka për zbardhjen e fatit të njerëzve të pagjetur.

Kështu tha sot këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Jahja Lluka, i cili para anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur ka treguar për pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Londrës.

Lluka ka thënë se në këtë samit njëra ndër pikat ka qenë çështja e personave të zhdukur, ku ai tha se të gjitha komisionet e rajonit janë zotuar se do të implementojnë një plan zbatues që ka dal nga ky samit.

Në bazë të kësaj marrëveshje e cila do të nënshkruhet ditëve në vijim, Lluka tha se edhe Serbia do të detyrohet të jap informacione për të pagjeturit.

“Është hap po e them kështu edhe një dritë në fund të tunelit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Arsyeja është shumë e thjeshtë sepse të gjithë liderët evropianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor janë zotuar në përshpejtimin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur. Ne si Qeveri e kemi prioritet, këtë deklaratë e ka nënshkruar edhe kryeministri Haradinaj, kështu që për herë të parë që është gjëja më e rëndësishme besoj në samitin e Londrës është se Kosova ka qenë e barabartë në përfaqësimin si shtet me shtetet tjera, nuk i kemi pasur ato shenjat e mëhershme dhe për këtë duhet ta falënderojmë Mbretërinë e Bashkuar…Do të bëjmë gjithçka çka është e mundur për të zbardhur fatin e njerëzve tanë të cilët nuk është numri i vogël. Mirëpo, besoj që tani e tutje edhe Serbia do të ketë detyrim për të dhënë informacione, sepse ne e dimë adresën kryesisht”, tha këshilltari i kryeministrit.

Para anëtarëve të komisionit Lluka tha se të gjitha ata që kanë kryer krime një ditë do të vihen para drejtësisë.

“Është ndoshta jo adekuate ta them që do të kemi ndonjë rezultat, sepse mirë kish qenë që ne të kemi njerëz edhe të gjallë, mirëpo duke e ditur me kë kemi pasur punë në mungesë të informacioneve, të kohës, koha po kalon. Mirëpo, një gjë duhet ta themi hapur krimi nuk plaket dhe të gjithë ata që kanë bërë krime një ditë do të vijnë para drejtësisë. Drejtësia mund të vonoj, por një ditë do të vije në vendin e vet dhe familjarët do ta kenë të drejtën t’i gëzohen drejtësisë”, tha ai.

Në mbledhjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur është diskutuar edhe raporti i komisionit për gjetjen e gjësendeve të sjella bashkë me trupat të cilët janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Naim Uka, anëtar i këtij komisioni ka paraqitur punën e Grupit Punues, i cili bëri të ditur se punën e kanë filluar me 26 janar.

“Komisioni ka filluar punën me 26 janar 2018, procesi i inventarizimit është ndërprerë tri herë për shkaqe të ndryshme të planifikimeve të mëhershme të zhvarrimeve dhe të angazhimit zyrtar të Institutit të Mjekësisë ligjore dhe angazhimeve të tjera të anëtarëve të tjerë të komisionit. Procesi i inventarizimit të gjësendeve në këtë zyrë për rastet e Batanices kanë përfunduar me datë 14 shkurt 2018 dhe përmes emailit jemi njoftuar me të gjeturat e këtij procesi. Gjatë procesit të inventarizimit të gjësendeve në zyrën e dëshmive është konstatuar se të gjitha gjësendet e gjetura kanë qenë të konservuara dhe të ruajtura në qese plastike të futura në paketime prej letrës. Të gjeturat e procesit të inventarizimit do të krahasohen me listën e pranuar nga Komisioni Qeveritar i Serbisë, me ç’rast do të përpilohet një raport krahasues me konkluzionet e të gjeturave”, tha ai.

Në lidhje me këtë raport, kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, propozoi që të formohet një komision që do të bëjë krahasimin me raportin e Komisionit nga Beogradi.

“Mos të krijojmë mundësi të paarsyeshme të flitet për këtë çështje, gjetjet të krahasohen, të dihet e vërteta”, tha ai.

E për këtë, këshilltari i kryeministrit dhe mbajtësi i dosjes për çështjet e pagjetura, Jahja Lluka, ka thënë se ky komision në mbledhjen e radhës të paraqes raportin krahasues.

“Krahasimi dhe raporti krahasimor deri në fund të muajit të jetë prezent dhe të paraqitet, jo të shkojnë ka tre ose katër muaj deri sa ta kemi raportin. Duhet të mbyllet kjo çështje, për t’i mbyllur edhe disa vrima të tjera të cilat përfolën vazhdimisht në media dhe mes familjarëve”, tha ai.

Më pastaj është formuar ky komision i cili ka për detyrë që në mbledhjen e radhës të vijë me raportin krahasues.

Në këtë mbledhje është formuar edhe Këshilli Organizativ për shënimin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur.