Llojet e kryerjes së haxhit

Ifrad

Të bëjë nijetin vetëm për haxh duke thënë:

“Lebbejkellahumme haxhxhen (O Allah ! Të përgjigjem Ty me Haxhin)”. Për të nuk ka kurban të haxhit.

Kiran

Te bëjë nijetin per haxh dhe umre duke thënë: “Lebbejkellahumme umraten ue haxhen (O Allah! Te përgjigjem Ty me Umren dhe Haxhin)”. Për të ka kurban.

Temetu

Të bëjë nijetin për Umre në muajt e haxhit duke dalë nga gjendja e ihramit pas umres e duke hyrë përsëri në ihram në kohën e haxhit. Thotë: “Lebejkellahumme umraten mutemettian bihe ilal haxhxh (Të përgjigjem Ty o Allah me umre duke u liruar prej saj deri në haxh).” Për të ka kurban.

Kushtet e detyrueshmërisë së haxhit

  1. Islami.
  2. Pjekuria fizike.
  3. Zotërimi i mendjes së shëndoshë.
  4. Liria (të mos jesh skllav).
  5. Personi shoqërues për gruan (mahremi).
  6. Mundësia.

Shtyllat e haxhit

  1. Ihrami i cili është nijeti i hyrjes në adhurimin e haxhit.
  2. Qëndrimi në Arafat.
  3. Tauafi i Ifadës.
  4. Sa’ji midis Safës dhe Meruas.

Pa këto shtylla haxhi nuk konsiderohet i saktë.

Obligimet e haxhit

  1. Ihrami prej mikatit.
  2. Qëndrimi ditën në Arafat deri në perëndim të Diellit.
  3. Qëndrimi në Muzdelife natën e Kurban Bajramit.
  4. Gjuajtja e gurëve në Xhemeratin e Akabesë dhe në tre Xhemeratet sipas renditjes ditët e teshrikut (11, 12, 13 Dhul-Hixhe).
  5. Rruajtja ose shkurtimi i flokëve.
  6. Qëndrimi natën në Mina ditët e teshrikut.
  7. Tauafi i lamtumirës.

Ai që lë një nga këto punë të detyrueshme haxhin e ka të saktë, por duhet të japë dëmshpërblimin që është: një e shtata pjesë e një deveje, apo një e shtata pjesë e një lope, apo një dele që theret në Mekë e u shpërndahet të varfërve të Haremit.

Sunnetet e haxhit

  1. Gusuli parpara ihramit.
  2. Telbija duke ngritur burrat zërin, ndërsa gruaja me zë sa për të dëgjuar vetveten.
  3. Qëndrimi në Mina natën e Arafatit.
  4. Të ecurit shpejtë duke afruar hapat (ramli) në tre rrotullimet e para të tauafit të arritjes (kudumit).
  5. Puthja e Gurit të zi, nëse e ka të mundur.

Ai që lë një nga këto punë, apo të gjitha nuk ngarkohet me diçka, por muslimani i cili ka përshkuar largësitë e mëdha duhet të përpiqet t’i veprojë këto sunete e të mos neglizhojë në to.