Liverpooli mposht Fulhamin dhe ngjitet sërish në vend të parë

Liverpooli ka regjistruar fitore prej 2-1 si mysafir i Fulhamit në Craven Cottage, në ndeshjen e javës së 31-të në Ligën Premier.

Rasti i parë për t’u përmendur në fillim të ndeshjes ishte kombinimi ndërmjet Andrew Robertson e Roberto Firmino, por Sergio Rico lezoi gjithçka për ta ndërprerë aksionin.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 26-të, kur Roberto Firmino dërgoi një pasim të shkurtër drejt Sadio Manes, i cili dhuroi një goditje të pandalshme që përfundoi në rrjetë.

Sadio Mane sërish protagonist (Foto: Marc Atkins/Getty Images/Guliver)

Në gjysmën e dytë, vendasit bënë përpjekje të shumta për ta barazuar rezultatin, ndërsa pas një goli të anuluar për pozitë jashtë loje, arritën ta barazojnë rezultatin.

Ishte pikërisht ish-sulmuesi i Redsave, Ryan Babel, ai që shënoi (74′), pas një gabimi të Virgil van Dijk me rastin e kthimit të topit te portieri Alisson.

James Milner shënoi nga penalltia (Foto: Marc Atkins/Getty Images/Guliver)

Në vazhdim të ndeshjes, gjyqtari akordoi penallti në favor të mysafirëve, pasi portieri Sergio Rico ndërhyri në Mane dhe James Milner u tregua i saktë nga pika e bardhë (81′). Deri në fund të ndeshjes pati edhe raste të tjera, mirëpo rezultati nuk u ndryshua.

Me këtë fitore, Lievrpooli ngjitet në vend të parë në tabelë me dy pikë më shumë se Manchester City (që ka një ndeshje më pak të zhvilluar). Fulhami është në vend të 19-të në tabelë dhe me vetëm 17-të pikë të arkëtuara dhe rrezikon rënien nga Liga Premier.

Në xhiron e ardhshme, Fuilhami luan kundër kampionit Manchester City, kurse Liverpooli është nikoqir i Tottenham Hotspur.