Lista Serbe “ruan” pushtetin e Beogradit në veri të Kosovës

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, të cilat i ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë konfirmuar se këto komuna sërish do të udhëhiqen nga kandidatët e Listës Serbe dhe se tentimi i Beogradit që të influencojë qytetarët serb të këtyre komunave është realizuar, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se përveç anës teknike, që është rezultati i fitores së kandidatëve të Listës Serbe, zgjedhjet në komunat veriore kanë treguar se Beogradi zyrtar ka realizuar synimin për tu treguar se është autoriteti i fundit, i cili përfaqëson interesat e serbëve të veriut të Kosovës.

Ky rezultat, sipas tij, ka qenë i pritshëm edhe për shkak të thirrjes që u ka bërë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, serbëve të veriut të Kosovës, që të dalin në mënyrë masive në zgjedhje, në mënyrë që duke forcuar pushtetin e Listës Serbe në komunat me shumicë serbe, të forcojë edhe pushtetin e tij në Beograd, karshi kritikave të opozitës në adresë të tij.

“Unë konsideroj që kjo mund të shihet edhe si pjesë e një lufte politike, e cila është duke u zhvilluar në Serbi, për atë se si duhet të përfaqësohen qytetarët apo interesat e qytetarëve serbë të Kosovës. Pra, unë besoj që këto zgjedhje nuk kanë pasur synim vetëm që të fitohen komunat–meqenëse kjo ka qenë e ditur paraprakisht – por, është tentuar të përçohet mesazh tek autoritetet e Prishtinës që Lista Serbe do të jetë subjekti me të cilin mund të negociohet për interesat e serbëve të Kosovës, e që do të thotë që Beogradi është institucioni i fundit me të cilin mund të diskutohen të drejtat e serbëve të Kosovës”, theksoi Cakolli.

Në anën tjetër, pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve për kryetarë në katër komunat e veriut të Kosovës, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka marrë shumicën e votave për kryetar të Mitrovicës Veriore, ka thënë se fitorja e Listës Serbe është përgjigje ndaj Prishtinës për taksat prej 100 për qind të cilat i ka vendosur për importin e produkteve të Serbisë.

“Me këtë kemi treguar se në këto hapësira e kemi forcuar shtetin e Serbisë dhe popullin serb”, ka thënë Rakiq.

Në një bisedë telefonike që Rakiq ka pasur me presidentin serb Vuçiq, ky i fundit ka thënë se fitorja Listës Serbe është shënuar në rokun e Serbisë.

“Ky është konfirmimi më i mirë i politikës së unitetit, politikës së luftës tonë për interesat tona vitale kombëtare dhe të interesave tona më të rëndësishme shtetërore”, ka thënë Vuçiq

Ndërkaq, Cakolli vlerëson se pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave veriore, Prishtina zyrtare aktualisht gjendet në një pozicion mjaft të vështirë.

“E para është se si do të vazhdojë bashkëpunimi me këta kryetarë, të cilët publikisht sfidojnë shtetësinë e Kosovës, duke treguar se për autoritete e kanë Beogradin dhe jo Prishtinën. E dyta do të jetë ajo që, siç thuhet, këta kryetarë do të japin sërish dorëheqje. A do të jenë të gatshme institucionet e Prishtinës që të pranojnë që edhe një herë të organizohen zgjedhje sa për të thënë, sa për sy e faqe, meqenëse sërish do të dihet rezultati përfundimtar dhe vetëm do të shpenzonim diku rreth gjysmë milion euro, siç kemi bërë kësaj here?”, u shpreh Cakolli.

Sipas tij, një proces i sërishëm do t’i shkonte për shtati tërësisht Beogradit dhe nuk do të kishte asnjë përfitim për institucionet e Kosovës dhe për qytetarët që jetojnë në veri të vendit.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq u ka thënë përfaqësuesve të Listës Serbe se së shpejti do ta kenë një takim të përbashkët, ku do të shqyrtojnë se cilët do të jenë hapat e mëtejmë.

Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas përfundimit të votimeve në katër komunat e veriut të Kosovës, përmes një shkrimi në rrjetin social Faceboook, ka përshëndetur procesin zgjedhor, duke cilësuar si të rregullt.

“Në këto zgjedhje të parakohshme, qytetarët e kësaj ane, dëshmuan pjekuri në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pa ndonjë incident në një proces demokratik, duke votuar për kandidatët që ata besojnë se do ju shërbejnë interesave të tyre”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, kryeministri Haradinaj, nuk ka dhënë ndonjë vlerësim politik lidhur me zgjedhjet dhe rezultatin e tyre.

SHPËRNDAJE