Lista Serbe nuk vë kushte për kthim, por e do Asociacionin

Ende nuk janë pjekur kushtet që deputetët e Listës Serbe të kthehen në Kuvendin e Kosovës që ta kryejnë punën e tyre normalisht, vlerësojnë zyrtarët e këtij subjekti politik parlamentar, i cili përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës.

Slavko Simiq, kryetar i Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që përfaqësuesit e kësaj liste e kanë vullnetin që të kthehen në institucione.

Më 15 dhjetor të këtij viti, pritet të hyjë në fuqi zbatimi i marrëveshjes për telekomunikimin, e cila është arritur së fundmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit. Kjo datë, sipas Simiqit, do të jetë pikënisje për të shkrirë edhe ngecjen e fillimit të zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në anën tjetër, Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që komunikimi me përfaqësuesit e Listës Serbe është i vazhdueshëm. Sipas tij, përkundër deklarimeve të Listës Serbe për pjesëmarrje në institucione, të gjithë ata që janë nga kjo listë dhe që kanë marrë pjesë në konstituimin e qeverisë, nuk e kanë ndërprerë praninë e tyre në institucione.

Mos shkëputjen e komunikimit ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar, Abdullahu e sheh si mundësi pozitive që të shqyrtohen vërejtjet dhe qasjet që kanë përfaqësuesit e Listës Serbe lidhur me situatën e krijuar me “ngrirjen” e pjesëmarrjes së tyre në institucionet qendrore.

Por, a është kusht krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që përfaqësuesit e Listës Serbe të heqin dorë nga “ngrirja’ e pjesëmarrjes së tyre në institucionet qendrore?

Simiq ka hedhur poshtë se kjo mund të jetë kusht. Sipas tij, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e kanë obligim autoritetet e Kosovës. Por, sipas tij, komuniteti serb dëshiron që të nis ky proces dhe në rast se ai fillon, atëherë edhe deputetët serb janë të obliguar të kthehen në institucione, për të marrë pjesë në përpilimin e statutit të Asociacionit dhe që atë ta inkorporojnë në mënyrë ligjore.

Miratimi i Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për investime strategjike nga Kuvendi i Kosovës, në tetor të këtij viti, kanë bërë që përfaqësuesit e Listës Serbe ta ‘ngrijnë’ pjesëmarrjen e tyre në ekzekutiv dhe legjislativ, duke thënë se miratimi i atyre ligjeve nga Kuvendi i Kosovës, nuk i mbron, siç i kanë quajtur ata, interesat vitale të komunitetit serb.