Lista për veteranët e ish-prokurorit Elez Blakaj pësoi ndryshim

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, i cili po merrej me hetimin e fryrjes së listave të veteranëve, në aktakuzë kishte përmendur numrin 19 mijë e 60 personave të dyshimtë si përfitues nga statusi i veteranit.

Pas dorëheqjes së tij nga ndjekja e këtyre personave, nën arsyetimin se ka pasur presion, listat me të dyshimtit kanë pësuar ndryshime.

Në ato lista së paku figurojnë 1178 persona më shumë si të dyshimtë. Këtë e kishte paralajmëruar edhe vetë ish-prokurori Elez Blakaj, duke thënë se listat fillestare të tij kanë ndryshuar.

“Ajo çka po shoh tash nga informacionet e publikuara në media, që i referohen aktakuzës së veteranëve, duke i publikuar edhe emrat dhe të dhënat personale është se janë rreth 2.000 persona, të cilët del se janë shtuar në listën e emrave që janë që janë seleksionuar si përfitues të statusit të veteranit luftëtar në kundërshtim me kriteret e ligjit për veteranët”, ka thënë ndër tjera Blakaj në reagimin e tij.

Në listat që janë publikuar në medie, del se janë gjithsej 20238 persona të dyshuar si veteranë të rrejshëm. Nëse merret për bazë lista fillestare e ish-prokurorit Elez Blakaj me 19 mijë e 60 veteranë, atëherë diferenca del se në listat përfundimtare janë futur edhe 1178 persona tjerë.

Listat kanë nxjerrë se Zona Operative e Shalës ka pasur 187 veteranë të dyshimtë; ajo e Llapit 1389 veteranë të dyshimtë. Zona Operative e Nerodimes del se ka 823 persona të dyshimtë si veteranë të rrejshëm, kurse ajo e Karadakut ka 396 të dyshimtë si të tillë.

Duke iu referuar të njëjtave lista, Zona Operative e Dukagjinit del se ka 7949 persona të dyshuar si veteranë të rrejshëm, Zona e Pashtrikut ka 4701 persona të dyshimtë, Drenica 2330, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka 272 persona si përfitues të dyshimtë në këtë proces; Operacioni Shigjeta 1035

Kurse nga lista e UÇPMB-së janë 270 persona të dyshimtë, dhe ajo e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës janë 107 persona të dyshimtë që kanë përfituar nga statusi i veteranëve të UÇK-së. Ndërkaq, si kategori ‘të ndryshme’ janë përfshirë 779 persona të tillë.