Ligji për duhanin nuk po gjen zbatim në praktikë

Pavarësisht se Ligji për kontrollin e duhanit e ndalon përdorimin e tij në hapësira publike, pirja e duhanit vazhdon të lejohet në shumë kafene dhe restauronte. Në Inspektoratin Sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës thonë se gjatë vitit të kaluar kanë bërë 350 kontrolle dhe kanë shqiptuar disa gjoba.

Edhe Ligji për kontrollin e duhanit, i cili ndalon përdorimin e tij në hapësira publike, ashtu si shumë ligje të tjera nuk po zbatohet plotësisht në praktikë. Janë të rralla kafenetë në Prishtinë e në të gjithë Kosovën ku nuk ka tym duhani, por edhe përkundër kësaj, të pakta janë rastet kur shkelësit e ligjit ndëshkohen.

Ibrahim Tërshnjaku, shef i Inspektoratit Sanitar të Kosovës, tregoi për Radio Kosovën se sa kontrolle kanë bërë gjatë gjithë vitit 2017 dhe si është vepruar.

“Janë kryer 350 kontrolle në subjektet afariste hoteliere. Këtë vit janë shqiptuar mbi 50 gjoba, të dërguara në gjykatë, për shkelësit e ligjit”, tha Tërshnjaku për Radio Kosovën.

Shef i Inspektoratit Sanitar të Kosovës thotë se institucionet e tjera të shtetit nuk po i ndihmojnë ata na zbatimin e ligji dhe vetë po e shkelin atë.

“Problemin kryesor tani ne po e kemi edhe nga zyrtarë të lartë të shtetit, nga ministra të ndryshëm, nga përgjegjës të institucioneve, të cilët neve po na sfidojnë gjatë punës sonë në kryerje të detyrës. Është dëshpëruese nganjëherë kur ti kërkon nga një qytetar i thjeshtë të zbatohet ligji, dhe në anën tjetër e sheh një ministër a një pushtetar të lartë, duke e thyer ligjin”, theksoi Ibrahim Tërshnjaku, shef i Inspektoratit Sanitar të Kosovës,

E sipas Plator Gërdovcit, nga Zyra për mbrojtjen e konsumatorit,shkelja e ligjit dhe mos ndëshkim i atyre që tymosin në hapësira publike, ka bërë që vetëm 60 qytetarë të raportojnë shkeljen e ligjit në numrin 080011000.

Pulmologu Skënder Baçaj duke treguar për efektet e dëmshme të duhanit, bën thirrje që ligji të respektohet.

“Në tymin e duhanit janë 200 deri në 400 përbërës kimikë, të cilët janë drejtpërdrejt të lidhur me sëmundjen e kancerit të mushkërive. Ne, çdo ditë në klinikë përballemi me pacientë të cilët kalojnë në invaliditet, e të cilët duhet të marrin oksigjen e 24 orë në ditë janë të lidhur për shtrati”, tha Skënder Buçaj për Radio Kosovën.

Ligji për kontrollin e duhanit parandalon edhe blerjen dhe shitjen e duhanit nga të miturit, por blerja dhe shitja e tij nga ta bëhet pa problem.

Përveç kësaj, ligji shkelet edhe në raste kur produktet e duhanit ekspozohen për publikun.