Liga Arabe mbledhje të jashtëzakonshme për Palestinën

Liga Arabe do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme në nivel të përfaqësuesve të martën për t’i diskutuar shkeljet e pushtetit izraelit ndaj palestinezëve.

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe Përgjegjës për Çështjet Palestineze, Said Ebu Ali, përmes një deklarate me shkrim njoftoi se mbledhja në fjalë do të realizohet me kërkesë të Palestinës dhe do të kryesohet nga ana e Arabisë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ebu Ali njoftoi se në mbledhje do të diskutohet rreth krimeve të ushtarëve izraelitë ndaj protestave paqësore të palestinezëve që filluan nën moton “Marshi i Kthimit të Madh” të premten me rastin e 42-vjetorit të Ditës së Tokës dhe incidenteve të rrezikshme që ende vazhdojnë të ndodhin në territoret palestineze.

Liga Arabe ndjek nga afër ngjarjet në të cilën 17 palestinezë ranë dëshmorë, thuhet më tej në deklaratë, ndërsa komunitetit ndërkombëtar i bën thirrje të zbatojë përgjegjësitë e tij për krijimin e një komisioni hetimor dhe të ndalë këto shkelje të Izraelit.

Ndryshe, një numër i madh i palestinezëve që nga e premtja janë duke protestuar në kufirin mes Gazës se bllokuar dhe Izraelit në kuadër të përvjetorit të 42-të të Ditës së Tokës.17 palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe qindra të tjerë janë plagosur si pasojë e ndërhyrjes së ushtarëve izraelitë ndaj protestuesve që nga dita e parë.