Liderët botërorë, Putin më i besueshëm se Trump

Nga sulmet me raketa në lindjen e mesme, e deri tek lufta e tarifave në Azi, javët e fundit kanë qenë një kujtesë e rolit të stërmadh që Shtetet e Bashkuara luajnë në skenën botërore, ushtarakisht, ekonomikisht dhe në aspektin kulturor.

Sidoqoftë, presidenca e Donald Trump nuk po njeh shifra inkurajuese. Sipas të dhënave nga një sondazh i qendrës së kërkimeve Pew, në pjesën më të madhe të botës mungon besimi tek Trump kur flitet për menaxhimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht nëse bëhet një krahasim me liderë të tjerë botëror. Kur njerëz nga vende të ndryshme, u pyetën për besimin që kishin tek liderë të ndryshëm kombëtarë, Trump nuk rezultoi ndër më të pëlqyer. Në fakt, asnjë lider botëror nuk kapërceu 50 për qindëshin.

Angela Merkel iu afrua më shumë, në 46 për qind. Presidenti francez Emanuel Macron u rendit pas saj me 41 për qind të të anketuarve që kishin besim tek ai. Një e treta e të gjithë të anketuarve, 33 për qind, thanë se Vladimir Putin ishte i besuar ndërsa vetëm 29 për qind mendonin të njëjtën gjë për Trump i cili la pas në anën tjetër liderin kinez Ci Jinping. Anketa sidoqoftë tregoi se mungesa e besimit ishte më e madhe për Trump, në mënyrë specifike se sa për SHBA.