Libia përshëndet miratimin e mocionit për dërgimin e trupave turke

Këshilli i Lartë i Shtetit të Libisë përshëndeti të enjten votimin e mocionit të Parlamentit të Turqisë për dërgimin e trupave në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Deklarata e këshillit pasoi kërkesën nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë, e cila gëzon njohjen e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Këshilli në deklaratën e tij theksoi se kërkesa për ndihmë ushtarake kishte të bëjë me luftën e GNA-së kundër armiqve të huaj dhe milicive të tyre që po mbështesin gjeneralin komplotist që lufton kundër qeverisë legjitime.

“Vende të tilla si Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Rusia dhe Franca mbështesin kriminelin e luftës (Komandanti me bazë në Libinë Lindore Khalifa) Haftar, i cili ka vrarë dhe torturuar popullin tonë dhe ka shkatërruar. Kjo na shtyu të kërkojmë mbështetje të ligjshme nga miqtë tanë turq për të mbrojtur njerëzit tanë. Ne mirëpresim miratimin e mocionit në Parlamentin e Turqisë”, thuhet në deklaratë.

Deklarata gjithashtu theksoi se situata në Libinë e shkaktuar nga Haftar u prit me pikëllim në Turqi.

Këshilli i Lartë i Shtetit i Libisë është një organ ekzekutiv dhe këshillues i formuar si pjesë e Marrëveshjes Politike Libiane (Marrëveshja e Skhirat), e nënshkruar më 17 dhjetor 2015 në Skhirat të Marokut, për t’i dhënë fund luftës civile në vend nën drejtimin e OKB-së.

Parlamenti i Turqisë dje ratifikoi mocionin me të cilin autorizon qeverinë për dërgimin e trupave në Libi.

Gjithsej 509 deputetë morën pjesë në votimin në parlamentin me 600 vende, prej të cilëve 325 deputetë votuan në favor të mocionit, ndërsa 184 ishin kundër.

Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) mbështetën mocionin, ndërsa partitë opozitare, Partia Popullore Republikane (CHP), Partia Demokratike e Popujve (HDP) dhe Partia IYI votuan kundër këtij akti.