Liberalizimi i vizave dhe kërcënimet

Liberalizimi i vizave në cilësinë e një procesi politik është dëshmia më e mirë që e vë në pah zhvleftësimin e politikëbërjes në Kosovë. Nuk ka akter apo kryeakter të skenës politike që tash e disa vite nuk ka premtuar publikisht se liberalizimi i vizave është çështje javësh, ditësh apo orësh. Dhe vitet kalonin ndërkaq. E prapë nuk ndodhte liberalizimi. Dhe, sërish, i njëjti refren. Përfaqësuesit kryesorë të politikës zgjoheshin si somnambul dhe vraponin në terr pas liberalizimit të vizave. Ata që ishin më mendjelehtët, por, më të eturit për famë, nuk hezituan madje ta festonin me shampanjë liberalizimin e vizave. Pas shampanjës, të tjerët nëpër Facebook uronin qytetarët për liberalizimin e vizave.

Në vazhdim po japim disa shembuj konkretë të politikanëve të Kosovës në lidhje me liberalizimin e vizave.

“Në fund të këtij viti do të merret vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kështu pohoi Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili theksoi se në vitin 2015 kosovarët do të udhëtojnë pa viza. Ndërkohë anëtarësimi i Kosovës në OKB, do të ndodhë para vitit 2020”, kishte deklaruar në vitin 2014 kreu i diplomacisë Enver Hoxhaj.

Në vitin 2015, ish-kryeministri Isa Mustafa kishte thënë së është i bindur që kjo punë do të kryhej brenda vitit.

Edhe Hashim Thaçi shpesh kishte qenë i bindur se liberalizimi do të ndodhë shumë shpejt. “Mund të them se Kosova ka zbatuar të gjitha kriteret e nevojshme për rekomandimin e vizave nga Brukseli. Prandaj dua të potencoj se procesi për liberalizimin e vizave për Kosovën tani më nuk është duke i numëruar ditët dhe javët por mund të themi se është duke i numëruar orët”, kishtë thënë Thaçi në maj të 2016-tës.

Po në muajin maj të vitit 2016, Ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku, së bashku me kabinetin e tij kishin festuar me shampanjë “liberalizimin e vizave”.

“Urime qytetarëve se ne si zyrtar dhe si ministra kena pas viza gjithë dhe se kena pas problem, por më në fund e zgjidhem problemin e qytetarëve të zakonshëm, që t’i kryejnë nevojat e tyre, dhe ky me të vërtetë është një moment jashtëzakonshëm e pse jo edhe një moment historik. Ne e filluam procesin e liberalizimit të vizave nesër nuk mund të lëvizim lirshëm pa viza, mirëpo kjo do të jetë e mundur brenda pak javësh” ishte premtimi i Çollakut.

Edhe ministri i Arban Abrashi kishte uruar kosovarët për “liberalizimin e vizave” me një fotografi bashkë me kryeministrin Isa Mustafa. “Urime liberalizimi, urime Kosovë. Me MSA dhe liberalizim, perspektiva evropiane merr kuptim të plotë”, kishte shkruar Abrashi,

Avazi i premtimeve nga qeveritarët vazhdoi edhe në Qeverinë Haradinaj. Vet Kryeministrit Ramush Haradinaj në korrik të 2018-s ka thënë se “liberalizimi i vizave është çështje javësh “Liberalizimi do të vijë në kohë rekord. Ne nuk e duam vetëm liberalizimin, por dhe hapjen e statusit të kandidatit për anëtar në Bashkimin Evropian”, ishte shprehur Haradinaj.

Natyrisht, pas mëdyshjeve të mëdha se viti 2018 do të përfundojë me mosliberalizm të vizave, në skenën politikë është duke u shfaqur për herë të parë idea për kundërvënies ndaj Bashkimit Evropian. Në kuptimin konceptual, në Kosovë edhe më parë ka pasur ide të tilla por ato kanë qenë të përcjella nga elementë radikalë të politikës të cilët e shihnin Kosovën dhe shqiptarët në Lindje. E veçanta kësaj radhe, qëndron në faktin se kundërshtimi ndaj Evropës vjen nga njerëzit më proevropian që ishin deklaruar gjer më sot, çka do të thotë se zhgënjimi brenda kësaj kaste njerëzish u shndërrua në argument politik po t’iu kundërvënë BE-së.

“Jemi bllokuar nga BE me një kusht të pakuptimtë”, kishte deklaruar Isa Mustafa.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, konsideron se Kosova duhet të ndryshojë qasjen ndaj Bashkimit Evropian nëse deri në fund të vitit nuk merret vendimi për liberalizimin e vizave.

“Jam për atë që ne duhet ta kultivojmë një politikë të kushtëzimit nëse BE i diskriminon qytetaret e Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj. E kryeparlamentari Kadri Veseli ditë më parë ka thënë se mosliberalizimi i vizave do të ishte racizëm

Nuk është e diskutueshme se politikat e BE-së në raport me Kosovën dhe shqiptarët nuk janë engjëllore. Do të ishte marrëzi të mos shihej dhe faji i saj nëpër proceset e integrimit të republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, mirëpo zhgënjimi nuk është argument politik, është emocion. Në këtë rast, i formësuart në mënyrë të rrejshme sepse më të mëdha janë ngecjet në kryerjen e detyrave të shtëpisë nga politika lokale, sesa fajet, subjektivizmi, të themi kushtimisht i BE-së në lidhje me vizat.

Poltika e Kosovës e orientuar në trup monstrum politik, nga viti 2000 e gjer më sot nuk po e kthjell qëndrimin e saj për interesat vitale shtetërore. Përkundrazi, në mënyrë progresive ka avancuar me politika të egove të korruptuara dhe kriminalizuara skajshmërisht. Kjo është e vërteta e thjeshtë, që shqiptarët dhe të tjerët në Kosovë mund të mbesin pa liberalizim vizash e më pas do të guxonin të flisnin edhe për një kundërvënie ndaj politikave, ndonjëherë hegjemoniste të BE-së në raport me Ballkanin Perëndimor në raport me shqiptarët.