Lëvizja Husi merr kontrollin mbi kryeqytetin e Jemenit

Pjesëtarët e lëvizjes kryengritëse Husi në Jemen, kanë marrë kontrollin e plotë mbi kryeqytetin Sana.

Pasi kanë marrë nën kontrollin e tyre qytetin, në lokacione të ndryshme të tij, rebelët Husi kanë vendosur pika kontrolli, ndërkohë që dëshmitarët thonë se tashmë në Sana janë ashpërsuar kontrollet e qytetarëve.

Përveç qytetit, në kontroll të rebelëve janë marrë edhe bazat ushtarake Es-Sevad dhe Es-Sebin si dhe disa pozicione ushtarake në malin Attan, raporton Anadolu Agency (AA).

Rikujtojmë se pjesëtarët e lëvizjes Husi vranë të hënën ish-presidentin e Jemenit, Ali Abdullah Saleh, duke e ndaluar autokolonën e tij në afërsi të kryeqytetit Sana.

Aktivistët thonë se Husit kanë shtënë mbi tashmë ish presidentin e ndjerë mbi 30 plumba.

Jemeni është arenë e një krize të thellë politike dhe të sigurisë që nga fundi i vitit 2014 kur dhuna u përshkallëzua në luftë civile dhe kryengritësit e udhëhequr nga lëvizja shiite Husi dhe Kongresi, që udhëhiqet nga presidenti i përmbysur Ali Abdullah Saleh, pushtuan kryeqytetin Sana dhe më pas edhe rajone të tjera.