LDK e bashkuar në mbështetje të demarkacionit

LDK-ja ka thënë se në takimin e mbajtur dje nga Kryesia e kësaj partie ka pasur mbështetje të tërësishme për ratifikimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Më poshtë lexoni komunikatën e plotë të LDK-së:

Kryesia e LDK-së dhe kryetarët e degëve të LDK-së dje në një takim pune ishin krejtësisht unik në mbështetjen e ratifikimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Ky unitet është rezultat i bindjes se Kosova në këtë proces e forcon shtetësinë e saj, shënon kufirin ndërkombëtar me Malin e Zi, duke mos ndryshuar për asnjë pëllëmbë territorin të cilin e ka menaxhuar edhe më parë dhe hap rrugë për liberalizim të vizave, si një nevojë imediate për qytetarët tanë.

Konventa e LDK-së, e mbajtur në maj të këtij viti, kishte mbështetur plotësisht orientimet strategjike të prezantuara nga kryetari i LDK-së, ku përfshihej edhe ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

Përkrahje shënjimit të vijës kufitare i ka dhënë edhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

Prandaj, zërat që po dëgjohen në opinionin publik, që prezantohen si deputetë apo anëtarë të LDK-së, të cilët i gëzohen dhe trumbetojnë kundër votimit në Kuvend, duhet të tregojnë se cilit koalicion i përkasin.

Ata nuk mund të flasin për koalicionin qeverisës, sepse qëndrimet për LDK-në i prezantojnë organet udhëheqëse dhe statutare të saj, kurse është çështje e vullnetit të tyre ndoshta edhe e ndonjë interesi që të bëhen zëdhënës të AAK-së në njërën anë dhe mbështetës të atyre që po përdorin gazin lotsjellës dhe dhunën kundër institucioneve, në anën tjetër.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në asnjë fazë nuk ka qenë në anën e atyre që ushtrojnë dhunë, dhe as në anën e atyre që kontestojnë hapat për përmbylljen e shtetësisë së Kosovës.

Individët, të cilët çdo ditë e helmojnë opinionin me të pavërteta, që mundohen me çdo kusht ta mbështesin një kauzë të rrejshme dhe krejtësisht me motive politike të opozitës nuk prezantojnë qëndrimet e LDK-së dhe nuk janë në anën e LDK-së.

Të tillët, që u bashkohen atyre që shpallin tradhtar çdo ditë, që kërcënojnë dhe shantazhojnë shtetin, mund të kenë agjenda individuale por nuk prezantojnë politikat dhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet parti shtetformuese, institucionale, parti e cila është e gatshme të ballafaqohet me probleme jetike të vendit të cilat nuk janë gjithnjë të lehta dhe populliste, por janë të dobishme për ta forcuar shtetin, për të forcuar partneritetin ndërkombëtar dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet tjera mike të BE-së dhe më gjerë.