Lavrov: Do të kemi parasysh sigurinë dhe interesat e të gjitha palëve në Siri

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, në lidhje me “zonën e sigurisë” që ka ardhur në rendin e ditës për t’u formuar në lindje të Eufratit tha se “Duke përfshirë edhe Turqinë do të kemi parasysh sigurinë dhe interesat e të gjitha palëve në rajon dhe fqinjëve të Sirisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për shtyp në Moskë, Lavrov i është përgjigjur pyetjes së gazetarit të AA-së në lidhje me planin për zonën e sigurisë të cilën e solli në rendin e ditës presidenti amerikan, Donald Trump dhe të cilën Turqia e ka vërejtur pozitive në etapën e parë.

Për planin në fjalë, Lavrov ka bërë të ditur se procesi duhet të vlerësohet në kuadrin e integritetit territorial të Sirisë. “Të gjitha këto duhet të vërehen në aspektin se regjimi do të sigurojë integritetin territorial të Sirisë në kohën më të shkurtër të mundshme. Kjo çështje natyrisht do të trajtohet me Presidentin rus, Vladimir Putin, kur Presidenti Recep Tayyip Erdoğan të vijë për negociatat e ardhshme”, tha kryediplomati i Rusisë.

“Megjithatë unë do të doja të përsëris se këtu qëllimi kryesor është sigurimi i integritetit territorial të Sirisë i nënshkruar nga të gjithë anëtarët e OKB-së duke përfshirë SHBA-në, Turqinë dhe Rusinë. Ndërkohë duke përfshirë edhe Turqinë do të kemi parasysh sigurinë dhe interesat e të gjitha palëve në rajon dhe fqinjëve të Sirisë”, tha ministri Lavrov duke treguar rëndësinë e mbrojtjes së integritetit territorial të Sirisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, pak kohë më parë në një deklaratë në Twitter ishte shprehur për formimin e një zone të sigurisë prej 20 miljesh (32 km) në Siri. Pas kësaj deklarate presidenti turk, Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me Trump, ku dhe vlerësuan detajet e çështjes.

“Rikujtoni që këtë temë për formimin e zonës së sigurisë përgjatë kufirit të Turqisë në Siri nga ana jonë unë e kam theksuar që në kohën e Obama-s dhe kjo është shprehur edhe nga ai vetë për zonën prej 20 miljesh, apo 32 kilometra”, është shprehur Erdoğan në lidhje me çështjen në fjalë.