Lajm i keq për Real Madridin para ndeshjes me PSG

PSG beson fuqishëm se mund ta eliminojë Real Madridin nga Liga e Kampionëve.
Reali i Madridit do të kërkojë kualifikimin e parë në histori ndaj PSG, teksa dy klubet do të vihen përballë për duelin e kthimit në fazën e 1/8 në Champions League. Klubi parizien, që është kualifikuar në të dy rastet kur këto dy ekipe janë ndeshur me eliminim të drejtpërdrejtë, ka nevojë për një përmbysje të madhe për të kthyer humbjen dramatike 3-1 që skuadra e Unai Emery pësoi tri javë më parë në “Santiago Bernabeu”.

Lojtarët e ekipit francez u ankuan shumë për gjykimin e kryesorit italian Gianluca Rocchi, gjithsesi pjesa më e madhe e fajit iu përket vetë lojtarëve të PSG si dhe zgjedhjeve tepër të diskutueshme të trajnerit bask Unai Emery, që hodhën në erë avantazhin 1-0 pikërisht në sekondat e fundit të pjesës së parë, për të pësuar më pas falë një çmendurie kolektive dy gola në 7 minutat e fundit të takimit. Mbi të gjitha tani dhemb shumë mendjemadhësia dhe egoizmi i lojtarëve të skuadrës pariziene, që gabuan pa fund në 20 metrat e fundit, duke injoruar si pa të keq njëri-tjetrin, sjellje që i kushtoi shumë ekipit, në një ndeshje ku PSG meritonte minimalisht barazimin.

Në orën 20:45, në “Parc des Princes” natyrisht vendasit kanë një mal tepër të lartë për të kapërcyer. Në fazën e grupeve “Los Blancos” u mundën 3-1 edhe nga Tottenham Hotspur në Wembley, por ishte një Real tjetër, ndërsa aktualisht ekipi madrilen paraqitet në kryeqytetin francez pas 6 fitoreve në 7 ndeshjet e fundit në të gjithë aktivitetet dhe me mbajtësin në fuqi të Topit të Artë, Cristiano Ronaldon, në një formë të shkëlqyer, madje CR7 ka grisur çdo rekord në Champions, duke kryesuar me 11 gola, teksa ka realizuar gol në çdonjërën prej 7 ndeshjeve të luajtura në këtë edicion, transmeton “SuperSport.al”.

Në krahun tjetër, pas disfatës së Madridit ekipi i Unai Emery i ka fituar që të katërta ndeshjet në dispozicion, por rrugës ekipi parizien humbi yllin e skuadrës Neymar, që iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirugjikale, duke humbur gjithë pjesën e mbetur të sezonit, përsa i përket impenjimit me klubin. Edhe Mbappe nuk mund të thuhet që është 100% fizikisht, sidoqoftë vendasit do të bëjnë maksimumin për të përmbysur situatën, ndaj një ekipi si Reali, që ka humbur 2 nga 4 ndeshjet e fundit larg “Bernabeut”. Pikërisht këtë sezon Paris SG vendosi një rekord të ri në Champions me 25 gola të shënuar në fazën e grupeve, duke lënë prapa në renditje Bajernin e Mynihut, ndërsa edicionin e kaluar në kryeqytet vendasit treguan forcën e tyre teksa poshtëruan 4-0 Barçën, që më pas i njollosi me turp në “Camp Nou”, duke i futur për keq thellë në librat e historisë.

Reali që kërkon kualifikimin e tetë radhazi për në fazën çerekfinale ka bilanc negativ larg Madridit me klubet franceze, ndërsa PSG në shtëpi në anën tjetër ka pësuar vetëm 2 humbje në 14 përballjet me klubet spanjolle, por mbi të gjitha vendasit në “Parc des Princes” janë të frikshëm teksa kanë humbur vetëm 1 nga 46 ndeshjet e fundit në Kupat e Evropës. Për këtë takim tepër delikat UEFA këtë herë ka ngarkuar gjermanin Felix Brych.

Po në të njëjtën kohë në “Anfield” do të përballen gjithashtu Liverpuli me Porton, por gjithsesi në këtë duel gjithçka është përcaktuar që para tre javësh, kur të kuqtë i përcëlluan dragonjtë me pesë gola brenda në Portugali, kështu që në këtë ndeshje Jurgen Klopp i ka të gjitha mundësitë për të ruajtur lojtarët për derbin e Anglisë në “Old Trafford” me Manchester United.