Lahuta shqiptare është gati për UNESCO

Serbia e futi eposin e saj në UNESCO së bashku me instrumentin që e quajnë “gusle”, që është e ngjashme me lahutën shqiptare, por me disa ndryshime të vogla. Akademiku dhe muzikologu i njohur Vasil Tole, shprehet se “ky suksesi i Serbisë duhet të na shërbejë për të nxitur institucionet e vendit tonë, se pse nuk është futur ende Eposi dhe lahuta shqiptare në UNESCO”.

Tole që ka qenë pjesë e grupit të punës që kanë bërë gati dosjen për në UNESCO, u shpreh se serbët kanë regjistruar pjesën e tyre, porse nuk na është mbyllur dera ta fusin lahutën dhe Eposin tonë në UNESCO.

“Është një trashëgimi që është e pranishme tek të dy popujt, por ne themi se tek ne është më e hershme, sipas referencave të studiuesve dhe albanologëve të njohur”, thotë ai. “Por, nuk është çështja që ka diskutim nëse është lahuta shqiptare apo serbe; lahutën e kanë edhe malazezët edhe boshnjakët. Ajo që duhet të bëjmë është më mirë të diskutohet dhe të nxitet opinioni për t’u regjistruar Eposi dhe lahuta shqiptare në UNESCO. Por, për t’u bërë kjo, ndërmarrja nga Ministria e Kulturës dhe e Jashtme mungojnë. Ato nuk e bëjnë shtysën. Këto institucione duhet ta bëjnë një lëvizje. Secili vend bën maksimumin për trashëgiminë e vet”.

Para tetë vjetësh Shqipëria ka nisur punën për të plotësuar dosjen mbi Eposin e Kreshnikëve, për t’ia çuar UNESCO-s. Pas plotësimit të saj, UNESCO-s do t’i propozohej që ta merrte atë në mbrojtje si një kryevepër në rrezik. Ministria e Kulturës kishte ngritur një grup pune që përgjatë një viti do të merrej me dosjen. Studiuesit nisën debatet, ku propozonin që për sa i takon dosjes, përveç Eposit në të duhet të përfshiheshin edhe lahuta, madje edhe kullat ku këndohej eposi, veshjet tradicionale të zonave ku eposi mori jetë, xhubleta, si një ndër veshjet më të veçanta shqiptare, dhe vetë lahuta si shoqëruese e këngëve të kreshnikëve.

Poema e lashtë shqiptare “Eposi i Kreshnikëve” e quajtur nga disa studiues si “Iliada” shqiptare, është pjesë e pandashme e lahutës. Grupi i punës për dosjen kanë sqaruar se instrumenti i lahutës që e shoqëron eposin, dhe madje rapsodi, interpretuesi, sa vjen dhe po rrallohet në trevat shqipfolëse. Për eposin, studiuesit shqiptarë, por edhe ballkanikë, kanë shprehur argumentin se është më arkaik në trojet shqiptare, si rrjedhojë edhe më origjinali. Prej kësaj ka rrjedhur argumenti se edhe vetë lahuta që e shoqëron është më e hershmja përkundrejt varianteve serbe, malazeze, boshnjake, e më gjerë. Kjo edhe për karakteristikat e ndërtimit të saj.

Dy vjet më parë, nga Akademia e Shkencave u dha një deklaratë optimiste se dosja ishte gati dhe u bë një prezantim spektakolar përmes një aktiviteti të titulluar “Eposi shqiptar Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit” dhe grupi i punës i përbërë nga Zymer Neziri, Vasil S. Tole dhe Shaban Sinani prezantuan punën e bëra ndër vite dhe rezultatet e kërkimeve në terren. Gjithashtu u përurua edhe dosja shkencore e regjistrimit të projektit “Eposi Shqiptar i Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit” në programin e UNESCO-s “Kryevlera të Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit”, e cila sapo ishte vlerësuar me çmimin vjetor të Bashkimit Evropian – “Europa Nostra”. Puna tashmë ka ngecur tek lobimi dhe përpjekjet diplomatike të shtetit shqiptar dhe krerëve që përfaqësojnë shtetin në UNESCO.

Zymer Neziri nga Kosova, që ka qenë kryetar i grupit të punës për Eposin në UNESCO është shprehur se “Dosja është gati me 5,000 faqe A4”. Fillimi i mbledhjes së eposit daton më 1897, nga albanologu Gustav Meyer. Kontribut për mbledhjen e tij kanë dhënë edhe At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjeçovit, At Klement Miraj etj. dhe botimet e tyre tek “Hylli i Dritës”. Deri më 2012-n kanë qenë mbledhur 500,000 vargje, por projekti i Nezirit dhe gjithë ekipit, realizuar në vitet 2012-2014, ka shtuar në fondin kombëtar edhe 100,000 vargje të tjera, 440 këngë, 69 tregime dhe rreth 65 mijë vargje xhirime me kamera. /Shqiptarja/