Labinotë Demi-Murtezi braktis PD-në

Deputetja Labinotë Demi-Murtezi ka bërë të ditur se është larguar përfundimisht nga Partia e Drejtësisë.Këtë qëndrim ish-nënkryetarja e PD-së e ka bërë përmes rrjetit social Facebook, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka dhënë edhe arsyet e largimit.Ky është postimi i saj i plotë:Të nderuar qytetarë
Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së DrejtësisëMë lejoni t’ju njoftoj se nga mbrëmë unë më nuk jam pjesë e strukturave udhëheqëse të Partisë së Drejtësisë.

Zhvillimet e shumta në kundërshtim me statutin e partisë, mospajtueshmëria në shumë pika të organizimit të brendshëm deri në situata të papërballueshme të një komunikimi të ulët, ishin të patejkalueshme për mua me ç’rast edhe u detyrova të distancohem nga ajo mënyrë e menaxhimit të partisë.

Programi i partisë me të cilën kam punuar plot gjashtë vite, është artikulim i vlerave tona të përditshme, vlera të popullit me traditë të lartë kombëtare e fetare. Ato vlera mbesin sublime për t’i kultivuar, dhe kësisoj do të vazhdoj të jap kontributin tim edhe politik, me shpresë se një ditë Partia e Drejtësisë do të frymojë e lirë në kuptimin e plotë të fjalës mbi bazën statutore që ka, me mundësi të një hapësire edhe më të madhe për demokraci brendapartiake.

Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe kurajon që më keni dhënë, për të gjitha këshillat dhe kritikat e vazhdueshme që për mua kanë qenë gjithmonë shumë domethënëse. Vazhdoni të punoni aty ku i shihni vlerat reale dhe përkushtimin e madh, ngase shoqëria jonë ka shumë nevojë për kristalizimin dhe reflektimin publik të vlerave të saj, në dobi të organizimit më të mirë të jetës shoqërore e politike.
Me respekt,

Labinotë Demi-Murtezi.