Kuvendi përgatitë deklaratë për liberalizimin e vizave dhe Demarkacionin

Kuvendi i Kosovës po përgatit miratimin e një deklarate për liberalizimin e vizave dhe kriterin e përcaktuar nga Komisioni Evropian për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kjo është bërë e ditur pas takimit që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka zhvilluar me anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit e Kosovës.

“Është rënë dakord që grupet parlamentare të nxjerrin një deklaratë të përbashkët, rreth procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti për kriterin e demarkacionit, për t’i garantuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian se Kosova është e gatshme të përfundojë shënjimin e kufirit të saj me Malin e Zi”, thuhet në komunikatën për media të Kuvendit të Kosovës.

Pas hartimit dhe nënshkrimit të kësaj deklarate, vijon komunikata, do të fillojnë menjëherë një seri vizitash në vendet e BE-së, për t’i siguruar të gjitha ato shtete se Kosova i ka plotësuar kriteret që i janë vënë asaj në këtë proces, dhe se qytetarët e Kosovës meritojnë që sa më shpejt të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Në këtë takim nuk kanë marrë pjesë anëtarët e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.