Kuvendi ende nuk i ka dorëzuar Presidencës Ligjin për Pagat, nesër afati i fundit

Miratimi i Ligjit për Paga më 2 shkurt nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka nxitur pakënaqësi të mëdha tek shërbyesit civil në sektorin publik. Shumë nga ta kanë bërë thirrje publike për presidentin Hashim Thaçi, që të mos e nënshkruaj këtë Ligj, dhe t’ia kthej mbrapa Kuvendit për rishqyrtim. E, shqyrtimi dhe nënshkrimi apo jo i këtij Ligji nga ana e presidentit Thaçi, duket se do të marrë kohë, pasi që ky Ligj ende nuk është dërguar në Presidencë. Kështu të paktën i kanë thënë Telegrafit nga zyra për informim e presidentit Thaçi. “Ligji për Pagat ende nuk ka ardhur në Presidencë nga Kuvendi i Kosovës. Kur të arrijë në Presidencë, do të shqyrtohet detajisht”, thuhet në përgjigjen e tyre. Ndërkaq nga zyra e kryeparlamentarit Kadri Veseli, kanë bërë të ditur për Telegrafin se afati i fundit për dërgimin e këtij ligji në presidencë është nesër. “Afati i fundit për dërgimin e Ligjit për Paga në zyrën e Presidentit është nesër në orën 16:00”, thuhet në përgjigjen e tyre. Sipas Kushtetutës së Kosovës së Kosovës, neni 80 pika 2 thuhet se: “Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë (8) ditësh pasi të ketë marrë ligjin”. Në rast se presidenti Hashim Thaçi, sipas Kushtetuës, brenda tetë ditësh pas marrjes së ligjit nuk vendos për miratim apo kthimin e tij, atëherë ligji hynë në fuqi automatikisht. “5. Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare” Telegrafi ka mësuar se përveç Ligjit për Paga, presidentit do t’i dorëzohen edhe Projektbuxheti për vitin 2019, Ligji për Administratën Publike, Ligji për Dialog dhe të gjitha ligjet që janë miratuar në seancën plenare të 2 dhe 3 shkurtit 2019.