Kush është i obliguar ta agjërojë Ramazanin?

Nga kjo e hënë besimtarët myslimanë anembanë botës nisin agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Për të dhënë gjithë informacionet e nevojshme rreth rregullave të agjërimit, i ftuar në “Sytë 7” në Klan Kosova ishte hoxha Xheladin Fazliu, i cili i dha përgjigje pyetjeve që ndoshta shumica prej jush mund t’i keni pasur.

“Ditën e hënë do të dalim agjërueshëm, në emër të Zotit”.

“Zoti në Kuran këtë punë e ka sqaruar, duke thënë: “O ju që keni besuar, agjërimi është obligim, në mënyrë që të bëheni të devotshëm”.

“Sipas historisë islame dhe njerëzore e shoqërore, agjërimi ka qenë prezent që nga njeriu i parë, mirëpo mënyra ka ndryshuar. Këto janë me rregulla islame të profetit, meqë ai ka treguar në mënyrë praktike se si të agjërohet”.

“Rregullat e përgjithshme të agjërimit janë se në aspektin islam nuk kuptohet agjërim veç largimi prej hajes e pijes, por edhe me nefsin tonë e shpirtin tonë, edhe me dorën, këmbën e trupin, që të largohemi edhe prej veseve të këqija… pra këto janë rregulla të përgjithshme”.

Hoxha po ashtu sqaroi edhe atë se a pranohet agjërimi nëse fillimisht nuk bëhet nijeti gojarisht.

“Profeti thotë: Vepra shpërblehet sipas qëllimit, kështu që është prej kushteve që kur njeriu vendos me bë diçka duhet me bë nijet. Edhe te agjërimi është prezent, pra edhe nëse ia ndihmon me gjuhë që me bë agjërim është plotësim i asaj që e bën me zemër e shpirt. Por edhe nëse besimtari harron, agjërimi i tij është në vend sepse vet zgjimi i tij për iftar e syfyr edhe njëfarë nijeti, pra më shumë vendoset me zemër e shpirt qe me e kry këtë obligim fetar”, sqaroi Fazliu.

Ai po ashtu tregoi se kush është i obliguar të agjërojë e kush jo”

“Një përqindje e vogël e ka obligim të agjërojë, p.sh. fëmijët lirohen prej agjërimit. Njerëzit që janë sëmurë nga sëmundjet e ndryshme, pleqtë që e kanë mbrri pleqërinë e skajshme, gratë shtatzëna, gratë gjidhënëse, njerëz që brenda 15 ditësh e lëshojnë vendin e vetë e shkojnë mysafirë, dhe kur kthehen mund t’i kompensojnë ditë për ditë”.

“Kur e shikojmë me përqindje del se nuk është përqindje e madhe që e kanë për obligim të agjërojnë. Te agjërimi kërkohet shëndeti, pra ana e brendshme”.

“Nëse agjëron, ti agjëron për Zotin dhe nëse jo atëherë arsye duhet t’i japësh vetëm Allahut”.

“Çdo ditë e ramazanit është e vlefshme, por edhe brenda ramazanit është një ditë e veçantë që quhet Nata e Kadrit, e cila është kah fundi i ramazanit, sepse aty ka filluar të zbresë kurani”.

“Solidarizimi dhe humaniteti duhet të jenë prezentë te besimtarët këtë muaj sepse te Zoti paguhet shumë shtrenjtë”, përfundoi hoxha.

SHPËRNDAJE