Kurti thotë se po e pret LDK-në të shqyrtojë propozimin më të ri të VV-së

Lëvizja Vetëvendosje, të dielën ka mbajtur mbledhjen me degët e saja nëpër Kosovë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndër të tjera në këtë mbledhje ka folur për bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK),  dhe se sa janë gjasat që të arrihet koalicioni për bashkëqeverisje.

Kurti ka bërë të ditur se po e pret LDK-në që të shqyrtojë një propozim të ri të VV-së për bashkëqeverisje, por nuk ka treguar se çfarë është përmbajtja e këtij propozimi, shkruan lajmi.net.

“Është e vërtetë se jemi afruar, dhe po u afruam edhe pak, do të bëjmë marrëveshje. Vullnet e interes kemi, por garancion nuk mund të jap sepse nuk varet nga unë. Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër”, ka thënë Kurti ndër të tjerash.

Kurti ka thënë se gjithçka e bërë deri tash në kuadër të lëvizjeve politike nuk mund të kthehet prapa, përfshirë këtu edhe seancën konstituive të Kuvendit, ku Glauk Konjufca i VV-së u votua për kryeparlamentar.

Në fjalimin e tij para krerëve të degëve të VV-së, Kurti ka renditur edhe propozimet e lëvizjet që kanë ndodhur që nga nisja e diskutimeve me LDK-në për bashkëqeverisje.

“Në përputhje me rezultatin zgjedhor, ne ofruam gjysmën e programit qeverisës dhe gjysmën e qeverisë duke kërkuar që të ecim më hapa të shpejtë drejt jetësimit të qeverisë. Kemi qenë të hapur për publikun si kurrë më parë. Negociatat për koalicionin qeverisës i kemi mbajtur në ambiente publike sikurse zyrat e partive dhe në institucionin më të lartë të republikës, në parlament. Mediat, e përmes tyre qytetarët, e kanë ditur kur ne shkojmë në takim, ku mbahet takimi dhe kur dalim nga takimi. Natyrisht ajo çka nuk kemi mundur të ofrojmë është transmetim direkt të negociatave për koalicionin, kjo pasi do të ishte kundër-produktive. Kemi ofruar transparencë të veprimeve tona për qytetarët për secilin veprim që kemi ndërmarrë. Çdo përpjekje e çdo lëvizje është ndarë me qytetarët. Kam theksuar që takimet nuk mund të jenë lajm, se vetëm rezultatet janë lajm. Se për pyetjet e vjetra nuk mund të kem përgjigje të reja, përderisa nuk ka marrëveshje. Kam publikuar emrat e ministrave tanë, të ministrave nga radhët e VETËVENDOSJE!-s që publiku ta dijë e t’i njohë paraprakisht. Si rezultat i kësaj transparence, sot çdo qytetar e din se ku jemi dhe çfarë po ndodhë, prandaj edhe nuk kam shumë sekrete për të treguar sepse kërkesat tona i kemi bërë publike dhe kemi trajtuar kërkesat e partnerit në negociata me konfidencialitetin e duhur e të kërkuar”, ka deklaruar ai.