Kurti kujton demarkacionin: 8,200 hektarë tokë për një karrige kryeministri

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kujtuar Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, e cila u realizua një vit më parë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti e quajti këtë marrëveshje mashtrim dhe tha se për “8 200 hektarë tokë u nxor sall një karrige kryeministri”.“Sot u bënë një vit prej kur u ratifikua demarkacioni “Meha” në Kuvend, ndërkaq nesër bëhen 400 ditë të marrëveshjes ‘korrigjuese’ Thaçi-Vujanoviq. Për ironi, mu në ditën ndërkombëtare të pyjeve, më 21 mars, iu dhanë 8.200 hektarë Malit të Zi.

80 vota kurrsesi nuk do t’i bënin atë ditë pa këtë mashtrimin me korrigjim kufiri. Marrëveshja e Podgoricës e pranonte gabimin por mashtronte se do ta korrigjonte atë. Një vit më vonë as që është formuar Trupi i Përbashkët Punues për të cilin thuhej se do ta kthejë kufirin në Çakor e Zhlep e me Bjelluhën brenda Kosovës.
Nuk është turp nëse deputetët thonë se janë mashtruar. Turpi i përket mashtruesit. Mirëpo, nëse cilido pas mashtrimit, për shkak të egos, nuk pranon se ka qenë i mashtruar, atëherë bëhet bashkëfajtor.
Ratifikimi ishte zdrukthtari e jo demokraci. Nga pyjet e atyre 8.200 hektarëve u nxor sall një karrige kryeministri” ka shkruar Kurti.