Kur mirësjellja “shpërblehet” me plumba

Shkruan: Imer Pantina

Përshëndetje vëlla! Kjo ishte përshëndetje e një njeriu që sot i dha vrasësit të tij. Mbase kjo është dëshmia më e mirë e këtij besimtari që për herë të fundit po shkonte në xhami në të cilën po i lutej Zotit Fuqiplotë që mëshira e Tij ta përfshijë njerëzimin.

Kjo edukatë e kishte bërë këtë besimtar që njeriun ta quajë vëlla, duke i e përshëndetur me fjalë përzemërsie. Krijuesi i gjithëmëshirshëm e ka pajisur njeriun me arsye, mendje dhe vullnet të lirë.

E bëri mëkëmbës të Tij në tokë dhe e bëri superior ndaj gjallesave tjera. Megjithatë ky njeri jo rrallëherë mendjen dhe vullnetin e lirë e shfrytëzon në vrasje të sojit të tij,-njeriut.

Derisa kafshët nga më të egrat vrasin me qëllimin e ekzistencës, të mbetjes gjallë, sot, njeriu vret i shtyrë nga shkaqet e urrejtjes, çmendurisë dhe devijimit nga natyrshmëria e të qenit njeri. Kështu sot në Zelandën e Re, u gjend në ballafaqim njerëzorja me jonjerëzoren.

E para e quajti njeriun vëlla, ndërsa, e dyta shkrepi plumba me gjakftohtësi jonjerëzore. Madje, kulmi i ironisë ishte se të gjithë këtë vrasësi e filmoi duke lënë incizime më makabre që di t’i bëjë njeriu,- kjo qenie me mendje dhe vullnet të lirë.
Bota sot më shumë prodhon atom, eksplozivë, armë të shkatërrimit në masë, helme e çfarë jo tjetër se sa ushqim për njerëzit të cilët në shumë vende të botës vdesin nga uria.

Humanitetin ndërnjerëzor e shohim gjithnjë e më rrallë, dhe, si për çudi, sulmohet prej gojëndytëve çdo vezullimë e tij. Në anën tjetër, nxitja e urrejtjes, duke filluar nga fjalori i përditshëm islamofobik, pastaj, ai racor, nacionalist, ideologjik etj. etj. ka zënë vend në të gjitha shtresat e shoqërisë, që nga akademitë e deri tek mahallat më primitive.

Nga akademitë më të famshme sot janë akademitë ushtarake, aty ku mësohet vrasja, shterren bugjetet e shteteve, planifikohen gjithë të zezat kundër njeriut. Rrallëherë dëgjojmë tek thuhet se të gjithë njerëzit janë vëllezër, që të gjithë krijesa të të njëjtit Zot.

Krimi i sotëm na tregoi edhe njëherë se deri ku mund të qojë gjuha e urrejtjes, mjedisi dhe ideologjia që e ushqen atë. Këtë gjuhë e dëgjojmë edhe në shtetin tonë fatkeqësisht. Masakrat ndaj njeriut i kemi të freskëta, të dokumentuara; ende i kemi plagët e pashëruara nga këto. Por, kemi të drejtë të pyesim se kush po dëshiron që të hapen plagë të reja?! Pse nuk mësojmë dashurinë njerëzore në vend të urrejtjes? Pse nuk mësojmë tolerancën, pranimin e njëri-tjetrit, me gjithë bindjet e ndryshme që mund t’i kemi, në vend të diskriminimit?

Jo rrallë kam dëgjuar që publikisht përmes mediave iu është thënë besimtarit musliman shko në Arabi se në Kosovë s’ke vend. Pse? Sepse ai kërkon pesë minuta pushim nga puna për ta falur namazin, ose, sepse ka një mjekër, ose, sepse një femër ka një shami. Jo rrallëherë në vendin tonë janë fyer traditat tona në emër të demokracisë, sikurse demokracia po na kërkoka që të heqim dorë nga trashëgimia jonë fetare.

Njeriu nuk ka mundësi, me të gjitha fuqitë që i posedon, që t’ia imponon bindjen njeriut. Por, njeriu ka mundësi që të tregojë kulturë dhe përgjegjësi ndaj krijesës së sojit të vet. Mirëkuptimi ndërnjerëzor poashtu është fushë të cilën e njohim për sukseset që prodhon. Krijuesi i Madh e ka bërë të qartë të shtrembërtën nga e drejta. Andaj, vrasësit dhe ata që e ushqejnë urrejtjen, mospranimin e tjetrit, gjuhën e urrejtjes, e bëjnë këtë qëllimshëm duke minuar dashurinë dhe mirëkuptimin njerëzor.

Mungesa e njerëzisë sot në Zelandën e Re vrau 49 njerëz. Dha pamje tmerri dhe e shëmtoi rëndë ndërgjegjen njerëzore, demokracinë e shumë-deklaruar, vlerat dhe virtytet e njerëzores.

Personalisht, duke qenë se unë besoj në Zotin e Gjithëfuqishëm dhe në përkohësinë e jetës në dynja, kam bindjen se të gjithë atë besimtarë të vrarë sot, do të marrin shpërblimin nga Zoti mëshirues. Këtë bindje ma forcon fakti se ata e përdorën më së miri vullnetin e lirë që iu ka dhënë njeriut, për t’iu nënshtruar Krijuesit të tyre.

Ndërsa, vrasësi apo vrasësit, nuk e di se çfarë do t’i thonë Zotit në një ditë kur i gjithë njerëzimi do të japë llogari. Andaj, o njerëz, çfarëdo që të bëni, mendojeni llogarinë. Ruana o I Gjithëmëshirshëm, I Drejtë, Mëshirues, nga devijimet tona. Në këtë ditë pikëllimi qofshin të falur ata besimtarë që padrejtësisht u vranë, dhe, familjet e tyre qofshin prej atyre që gjëjnë forcë për ta përballuar vdekjen e të afërmeve të tyre.