“Kudsi është zemra e muslimanëve”

Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, tha se qyteti i Kudsit është zemra e muslimanëve dhe përfaqëson nderin e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Sot në Stamboll përfundoi Asambleja e Pestë e Përgjithshme e Unionit, ndërsa Ali Karadagi, i cili u rizgjodh në postin e sekretarit të përgjithshëm, lexoi deklaratën përfundimtare të takimit.

Karadagi falënderoi Turqinë dhe presidentin Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se Turqia është në anën e të shtypurve dhe mbron kauzën e umetit.

Karadagi rikujtoi se dje në asamble u zgjodh kryetari i ri, katër zëvendëskryetarë dhe bordi i administratorëve prej 31 anëtarësh me votim të fshehtë dhe uroi që kryesia e re të jetë e dobishme.

Dijetari maroken Ahmed al-Rajsuni dje u zgjodh kyetar i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, detyrë kjo të cilën nga viti 2004 e mbante Jusuf al-Kardavi.

Më tej gjatë fjalës së tij, Karadagi tha se asambleja e përgjithshme ka theksuar nevojën për t’u dhënë fund luftrave mes muslimanëve, konflikteve dhe ndarjeve.

“Asambleja jonë e përgjithshme ka sugjeruar që ne duhet të shmangim të gjitha arsyet që na çojnë në ndarje, fragmentim dhe dështim, duke theksuar se këto kanë shkaktuar paraqitjen e derës që çon njerëzit, civilizimin dhe shtetet drejt anarkisë”, tha Karadagi, duke shtuar se ndarja do të shkaktonte thellim të mëtutjeshëm të plagës së umetit islam.

Dijetarët në asamble, tha sekretari i përgjithshëm, kanë pranuar se të gjithë popujt kanë të drejtë për vetëvendosje dhe kanë shprehur kundërshtim ndaj çdo shtypjeje dhe despotizmi, duke përkrahur përdorimin e metodave paqësore dhe legjitime.

Po ashtu, Karadagi tha se një nga pikat më të rëndësishme në asamblenë e përgjitshme dhe deklaratën përfundimtare ka qenë kauza palestineze.

“Pa dyshim, Palestina, ashtu si në të kaluarën, është kauza e parë e umetit dhe në interes të të gjithë muslimanëve. Sot, çështja palestineze është në një fazë shumë të rëndësishme historike. Po përpiqen ta hebraizojnë Kudsin, Mesxhid al-Aksa bastiset dhe bëhen përpjekje për ta shkatërruar atë”, deklaroi Karadgi, duke shtuar se trojet palestineze janë duke u uzurpuar përmes vendbanimeve hebreje kolone.

“Kudsi është zemra e muslimanëve dhe përfaqëson nderin e tyre…Unioni ynë u bën thirrje të gjitha qeverive arabe dhe muslimane, organeve të dijetarëve dhe organizatave joqeveritare të zbatojnë përgjegjësitë e tyre ndaj kauzave të mëdha të umetit dhe të refuzojnë plotësisht normalizimin me hebrenjtë. Unioni e konsideron rezistencën ndaj okupatorëve si kauzë dhe e drejtë legjitime e popullit. Ai i jep rëndësi rezitencës së popullit heroik palestinez ndaj okupatorëve cionistë dhe u bën apel popujve muslimanë të mbështesin palestinezët”, tha Ali Karadagi.

Karadagi tërhoqi vëmendjen edhe ndaj shtypjeve në Siri, Jemen, Libi, Irak, Arakan dhe Kinë, duke bërë thirrje për mbrojtjen e dinjitetit të muslimanëve dhe përfundimin e luftës dhe konflikteve në këto vende.

SHPËRNDAJE